Drenas

Foto: Denis Sllovinja / Kallxo.com

Lladrovci: E hëna është ditë pune në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se Departamenti i Arsimit, drejtorët e shkollave, personeli arsimor dhe të gjithë zyrtarët e këtij procesi, do t’i përmbahen vendimit të Qeverisë se e hëna është ditë pune.

Sipas tij në punë do të jetë edhe administrata e Komunës, duke respektuar masat.

Lladrovci  ka thënë se dilemat e hapura për të hënën janë për keqardhje, kur dihet vendimi i Qeverisë, duke theksuar se vendimi do respektuar, pavarësisht bindjeve politike.

“Nuk është kohë as gjendje për të krijuar precedent në Republikën e Kosovës, thjeshtë, na duhet unitet, për gjithçka!”, ka thënë i pari i Drenasit.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se dita e hënë do të jetë ditë e rregullt pune, por përkundër këtij vendimi, disa komuna kanë ndërprerë mësimin sot, duke e bërë ditë pushimi për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.