Përfaqësues të Listës Serbe – Foto: REL

Lista Serbe: Qëllimi ynë është ta rrëzojmë Kurtin nga pushteti

Tensionet e krijuara në veri të Kosovës mbrëmjen e së dielës, si dhe deklarimet e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, kanë bërë që Lista Serbe të reagojë duke thënë se qëllimi i tyre politik është që të largojnë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Lista Serbe në një reagim të publikuar në rrjete sociale, kanë thënë se nga deklarimet e ministrit Sveçla, vetëm ajo për rrëzimin e Qeverisë Kurti është e vërtetë.

“E vetmja gjë e vërtetë që tha ministri i frikësuar Sveçla në deklaratën e tij është se Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Aljbin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, i cili është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Tutje të njëjtit kanë thënë edhe se Kurti dëshiron vetëm që të promovojë “konflikt i cili mund të ketë pasoja për të gjithë edhe te shqiptarët edhe te serbët”.

“Sveçla tha një mori gënjeshtrash për nënkryetarin e Listës Serbe Milan Radoiçiq dhe për Listën Serbe në përgjithësi, ai dëshiron të bindë dhe të inkurajojë veten sepse kishte frikë nga harmonia serbe dhe autoriteti i nënkryetarit Radoiçiq, duke mos e kuptuar se sa më shumë e sulmon, aq më shumë përkrahje i jep Radoiçiqit”, thuhet tutje në reagim.

Në reagim thuhet se Sveçla duhet të pranojë se serbët në veri janë më të bashkuar se asnjëherë.

“Ata treguan të dielën se nuk i frikësohen kërcënimeve të tij dhe më e rëndësishmja, ai nuk do ta pranoj se është i vetëdijshëm se sa autoritet ka Radoiçiq në mesin e serbëve, gjë që u pa më së miri të dielën. Radoiçiq iu bashkua atyre në protesta, dhe gjatë gjithë kohës ishte me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe”, thuhet tutje në mes të reagimit.

Lista Serbe kritikoi Sveçlën duke i thënë se i njëjti “është trim vetëm kur dërgon të tjerët të shkaktojnë incidente në veri dhe të keqtrajtojnë duarzbathurat, të moshuarit, gratë dhe fëmijët, ndërsa ai ulet në kolltukun e tij në Prishtinë”.

Sveçla në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, deklaroi më 2 gusht se Lista Serbe është e “devalvuar politikisht” dhe tha se në ekzekutiv nuk ka as vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi tha se ajo bashkëpunon me grupe kriminale.

Mbrëmjen e së dielës brenda një periudhe prej 5 orësh dy herë u lëshua alarmi dhe sirenat në komunat serbe në veri të Kosovës, të cilat dhanë detyrat, për të bllokuar në tërësi qarkullimet në dy rrugët kryesore që dergojnë drjtë pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Gjashtë orë para se të hynin në fuqi vendimet e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e përdorimit të targave të automjeteve të regjistruara në Serbi me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe pajisja e shtetasve serbë me fletë-deklarime kur hyjnë në Kosovë (reciprociteti me dokumentet e identifikimit), në veri të Kosovës u lëshuan sirenat e alarmit nga strukturat ilegale serbe.

Qytetarë të shumtë serbë kishin dalë përgjatë rrugëve të veriut për të kundershtuar vendimet e qeverisë.

Në anën tjetër ekipet e njësive speciale të Policisë së Kosovës po mblidheshin urgjent në kampin “Belvedere” i cili gjendet në afërsi të Lagjes Bair në Mitrovicën e jugut.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi në lidhje me ngjarjet në veri.

Kronikë e një drame të përsëritur