Barikadat e vendosura në fshatin Rudar, Komuna e Zveçanit, Foto: KALLXO.com

Kronikë e një drame të përsëritur

Gjashtë orë para se të hynin në fuqi vendimet e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e përdorimit të targave të automjeteve të regjistruara në Serbi me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe pajisja e shtetasve serbë me fletë-deklarime kur hyjnë në Kosovë (reciprociteti me dokumentet e identifikimit), në veri të Kosovës u lëshuan sirenat e alarmit nga strukturat ilegale serbe.

Ura në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Foto: Adelina Ahmeti/BIRN

Në orët e mbrëmjes të së dielës, alarmi i lëshuar, i cili u dëgjua në gjithë pjesën veriore të Mitrovicës, dha mesazhin e duhur. Qytetarët serbë në veriun e vendit e dinin se duhej të vepronin menjëherë. Bllokuan në nëntë pika rrugët, edhe ato që çojnë drejt dy pikave kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Pak para se të shënonte ora 8 e mbrëmjes, dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak ndalën punën tërësisht. Zyrtarët policorë në këto pika u mbyllën brenda ndërsa njësi të tjera policore të trafikut zunë vend në disa lokacione të ndryshme.

Zyrtarët policor duke kryer kontrolle te vendi i quajtur ‘dudi krrshit’, Mitrovicë Veriore, Foto: Adelina Ahmeti/BIRN

Rreth 50 kilometra larg pikës kufitare në Jarinjë gjendet fshati Rudar në komunën e Zveçanit.

Kamionë të mbushur me zhavorr ishin vendosur përgjatë rrugës magjistrale e cila të dërgon në kufirin e Jarinjës. Vendosja e këtyre automjeteve të rënda ishte bërë nga qytetarë të shumtë serbë, disa nga ta edhe të maskuar të cilët ishin vështirë të identifikueshëm.

Barikadat e vendosura në fshatin Rudar, Komuna e Zveçanit, Foto: Adelina Ahmeti/BIRN

Ngjashëm po veprohej edhe në një fshat tjetër, Zupçe, që gjendet në komunën e Zubin Potokut. Aty kalon rruga magjistrale që shpie në pikën tjetër kufitare – atë të Bërnjakut.

Barrikadat në Zupçe. Foto: Adelina Ahmeti/BIRN

Qytetarët serbë kishin bllokuar edhe rrugë të tjera. Ata kishin vendosur automjete të ndryshme në urën e fundit e cila gjendet diku 5 kilometra larg pikës kufitare Bërnjak.

Një ekskavator mbetet në një barrikadë në urën mbi liqenin Ujam/Gazivode në rrugën që të çon në pikën e kalimit të Bërnjakut më 1 gusht 2022. Foto: Adelina Ahmeti/BIRN

Pak para orës 22:00, alarmi u lëshua sërish, kësaj radhe u dëgjua për më shumë se 1 orë e 30 minuta.

Në pjesën jugore të Mitrovicës, gjendej edhe kampi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.

Aty u panë dhjetëra makina e autoblinda të cilët zinin vend brenda kampit e pjesëtarët e Njësive Speciale bëheshin gati dhe prisnin për çdo urdhër i cili mund të jepej në rast se situata dilte nga kontrolli.

Kampi “Belvedere”, Foto: Shkodrane Dakaj/ BIRN

Situata u tensionua pasi serbët lokalë nën zhurmën e sirenave të lëshuara nga strukturat paralele serbe dolën përgjatë rrugëve dhe dyshohet se sulmuan e maltretuan edhe persona të tjerë të cilët ishin duke udhëtuar në rrugët që ishin të bllokuara.

Policia e Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se kanë regjistruar katër raste të tilla të cilat kanë ndodhur mbrëmjen e 31 korrikut.

Çdo veturë me targa të Serbisë kontrollohej nga ana e zyrtarëve policorë, të cilët ishin vendosur edhe në pikën e quajtur ‘Dudi i Kërrshit’ në Mitrovicën Veriore.

Aty shpesh shiheshin edhe veturat e KFOR-it. Pjesëtarë  të forcës së NATO-s monitoronin situatën nga afër.

KFOR-i,, Foto: KALLXO.com

Madje në atë pjesë ishin vërejtur edhe persona të cilët për organet e rendit konsideroheshin se janë pjesëtarë të dyshimtë të cilët i përkisnin “Rojave të Urës”.

Kjo pikë kontrolli ishte vendosur pak kilometra larg fshatit Rudar. Ngjashëm ishte duke u vepruar edhe në pjesën tjetër të veriut. Jo shumë larg fshatit Zupçe ishte vendosur edhe një patrullë e Policisë.

Edhe atje bëheshin kontrolle të ngjashme.

Tensionimi i situatës në veri bëri që të ketë reagime të shumta. Fillimisht KALLXO.com kishte konfirmuar se në veri të Kosovës nuk kishte asnjë të plagosur ashtu siç ishte raportuar në disa prej mediave lokale në Kosovë.

Këtë e kishte konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti. Ndonëse jo të plagosur, raste të iniciuara pati.

KALLXO.com kishte arritur që të konfirmonte fillimisht se një familje kishte kërkuar ndihmë mjekësore pasi ishin sulmuar nga disa qytetarë serbë të cilët kishin dalë për të ruajtur barrikadat e krijuara në njërën nga pikat kryesore që të dërgonin drejt pikave kufitare.

Kjo më pas u konfirmua edhe zyrtarisht nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Reagimet pas tensionimit të situatës në veri

Meqë rrugët tashmë ishin bllokuar gjashtë orë para se hynin në fuqi vendimet e Qeverisë, reagimet e para nisën.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i kishte dhënë përkrahje Qeverisë Kurti në vendimin për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë për targa dhe letërnjoftime.

Haradinaj i ka vlerësuar si të ligjshme këto masa, duke thënë se mbështesin vendimet e institucioneve të vendit.

I njëjti po ashtu bëri thirrje qytetarëve serbë që të ruajnë qetësinë.

Pak kohë pasi u mbyllën dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak e për të cilat u bë thirrje që të mos qarkullohej në atë pjesë dhe të shfrytëzoheshin pikat tjera kufitare, Kryeministri Albin Kurti iu drejtua qytetarëve me një video mesazh.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat”, ka shkruar Kurti ku ka bashkangjitur edhe video adresimin.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ishte deklaruar se situata në jug ishte e qetë.

Në po atë kohë, Policia kishte konfirmuar se kishte pasur të shtëna armësh në drejtim të makinave zyrtarë të policëve të Kosovës mbrëmjen e 31 korrikut.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se në mungesë të informatave zyrtare nga ana e Qeverisë, inkurajon institucionet e sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit.

Sipas Krasniqit, Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë.

“Vendosja e barrikadave dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit janë të papranueshme. Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë. Në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajoj institucionet tona të sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit. Këto veprime duhet të koordinohen edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët i ftoj që t’i monitorojnë dhe denoncojnë provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar”, ishte reagimi i Krasniqit.

Në lidhje me situatën që po ndodhte në veri të vendit, reagoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas tij, reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran.

“Dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit. Mbështetja për ta është domosdoshmëri. Koordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë në parandalimin e çfardo provokimi nga Serbia brenda territorit të Kosovës është esencial. Në këto momente, Kosovës i duhet stabilitet, ligjshmëri dhe siguri”, tha Abdixhiku.

Disa minuta para se të binte mesnata, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, zhvilloi një takim në presidencë në të cilën morën pjesë, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministrja Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha para mediave se i ka kërkuar kryeministrit Kurti që ta shtyjë për 30 ditë implementimin e masave të reciprocitetit.

“Vendimet për reciprocitetin për letërnjoftimet dhe targat janë në përputhje me dialogun dhe SHBA i mbështet vendimet. I kam kërkuar qeverisë Kurti që ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi për 30 ditë. Nuk e mbështesim vendosjen e barrikadave, duhet të gjendet rruga e dialogut mes palëve”, tha ambasadori Jeffrey Hovenir, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

“SHBA nuk ka pasur shqetësim për vendimin. Ne kemi pasur takim me kryeministrin, ministren e Jashtme, presidenten. Unë kërkova që zbatimi i vendimit të shtyhet për 30 ditë. Mendoj se është e nevojshme të shtyhet se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime në lidhje me vendimin. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit por shtyrjen e zbatimit, të jem i qartë”, tha ai.

Derisa po mbahej takimi, KFOR-i i cili vepron në Kosovë me mision paqeruajtës deklaroi se janë të gatshëm të ndërhyjnë në veri të vendit në rast se rrezikohet stabiliteti.

Vendimi u mor, për 30 ditë u shtye implementimi i regjistrimit të automjeteve dhe dokumenteve të qytetarëve serbë.

I njëjti vendim do të hynte në fuqi në momentin e parë që qytetarët serb do të largonin barrikadat e krijuara përgjatë rrugëve që të dërgojnë në Bernjak e Jarinje.

Heqja e barrikadave

Përgjatë rrugëve që të dërgojnë në pikat kryesore kufitare të cilat gjenden në veri të Kosovës, mund të shohësh dhe të vëresh dhjetëra automjete të rënda të ngjashme me ato që po vendosen tash e disa herë në veri të vendit në raste të ndryshme, e që po përdoren si mjet kundërshtimi për vendime të ndryshme të cilat merren nga Qeveria e Kosovës.

Barrikadat e vendosura në orët e mbrëmjes së të dielës qëndruan për më shumë se 15 orë që nga marrëveshja për të shtyrë implementimin e vendimit të Qeverisë për 30 ditë.

Arsyet ishin të ndryshme. Disa nuk arrinin t’i largonin barrikadat nën arsyetimin se kanë defekte teknike por që në fund u bë zgjidhje për to dhe u larguan.

Në urën kryesore dhe të fundit e cila të dërgonte në Bërnjak për disa orë vazhdoi bllokimi për shkak të një ekskavatori. I njëjti ishte i prishur dhe nuk arrihej në asnjë mënyrë që ta ndiznin dhe ta lironin rrugën.

Një ekskavator mbetet në një barrikadë në urën mbi liqenin Ujam/Gazivode në rrugën që të çon në pikën e kalimit të Bërnjakut më 1 gusht 2022. Foto: Adelina Ahmeti/BIRN

Qytetarë të shumtë që tashmë prisnin të shfrytëzonin rrugën dhe të fillonin qarkullimin u grumbulluan ndërsa u krijuan edhe kolona.

Për shkak të peshës dhe madhësisë së ekskavatorit, rruga nuk ishte aspak e kalueshme ndërsa Policia përdorte trotuaret për të lëvizur veturat zyrtare në mënyrë që të bëhej ndërrimi i pjesëtarëve policor kufitar.

Madje në këtë pikë për të bërë sigurinë në atë urë ishin vendosur edhe forcat speciale kufitare me dy autoblinda.

KALLXO.com mori informacion se ekskavatori i përkiste policisë. Kjo pasi që i njëjti ekskavator ishte përdorur si barrikadë për të mos lejuar qytetarët serb të shkonin drejtë bërnjakut dhe të krijonin lirshëm barrikada të tjera.

Vetëm gjatë atyre orëve sa qëndruan barrikadat, në pika tjera kufitare përveç Jarinjës dhe Bërnjakut u shpërndanë mbi 1 mijë e 500 fletë- deklarime për targat dhe mjetet e identifikimit për qytetarët serbë.

Marrëveshja ishte e qartë, të largoheshin barrikadat dhe në atë moment do të shtyhej vendimi.

Ani pse barrikadat u hoqën nga pasditja e së hënës, dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak nuk funksionuan deri në orët e vona.

Pika kufitare në Jarinjë. Foto: KALLXO.com

Kjo për shkak se zyrtarët policorë kufitarë prisnin vendimin e ri për shtyrjen e implementimit të vendimit për targat dhe fletë-deklarimet.

Situata në veri ishte rregulluar në orët e pasdites së djeshme. Rrugët ishin liruar, qytetarët serbë ishin vendosur në shtëpitë e tyre ndërsa Policia ka njoftuar se ka hapur disa raste penale për incidentet e ndodhura në atë zonë.

Barrikadat në Rudar. Foto: KALLXO.com