Nenad Gjuriq dhe Aleksander Vuçiq. Screenshot: Tanjug News Agency official/Youtube
Lidhjet e ish-policëve serbë të Kosovës me Beogradin
Ish-zyrtarët e lartë në Policinë e Kosovës, Nenad Gjuriq dhe Aleksandar Filipoviq, kanë plotësuar “kërkesat” e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, për çka më pas janë “shpërblyer”, tregojnë të dhënat e një institucioni të sigurisë në Kosovë, në të cilat ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë.
Radoiçiq është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të dyshimit për përfshirje në krimin ndërkombëtar.
Gjithashtu, më 9 dhjetor, Britania e Madhe ka vendosur sanksione kundër tij, në kuadër të masave të saj kundër korrupsionit.
Lista Serbe e ka dënuar këtë veprim, me vlerësimin se bëhet fjalë për “shpifje”. “Është vërtetuar se [Radoiçiq] është patriot dhe bartës i rezistencës ndaj ‘pushtimit të veriut’ të Kosovës”, ka thënë Lista Serbe.
Të dhënat tregojnë, gjithashtu, se dy ish-zyrtarët e policisë, Gjuriq dhe Filipoviq, kanë qenë një lloj i “spiunëve” të Serbisë.
Nenad Gjuriq, ish-drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, është suspenduar nga detyra, pasi ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa të paligjshme serbe.
Më pas, pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë larguar nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Filipoviq, ish-shef i operacioneve për rajonin e veriut, ka qenë i pari që ka hequr uniformën e tij me fjalët: “Mjaft ishte”.
Vendimi për tërheqje nga institucionet e Kosovës është marrë në koordinim me Listën Serbe, e cila është e afërt me autoritetet aktuale në Serbi dhe me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq ia ka dhënë Gjuriqit “Urdhrin e meritës për mbrojtje dhe siguri të shkallës së parë”, ndërsa Filipoviqit “Medaljen e artë për guxim – Milosh Obiliq”.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në disa raste, ka deklaruar publikisht se gjysma e forcave policore në veri “kanë punuar” për Serbinë.
Policinë e Kosovës në veri të vendit, kryesisht, e kanë përbërë ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët janë integruar në sistemin e Kosovës, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.
Roli i Gjuriqit?
Të dhënat, në të cilat ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, tregojnë se Gjuriqi është një ish-operativ, detyra e të cilit ka qenë që t’i përcjellë raportet nga Policia e Kosovës në MPB-në e Serbisë.
Gjuriq, në vitin 2011, kur edhe ka filluar dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka qenë duke punuar si komandant i stacionit policor në Zveçan.
Në vitin 2013, në bazë të Marrëveshjes së parë të Brukselit, ai është emëruar komandant i policisë për rajonin e veriut.
Ndërkohë, ai është bërë edhe drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut. Këto gradime janë bërë me gjithë faktin se ai, në disa raste, ka kundërshtuar zbatimin e vendimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Për shkak të refuzimit të zbatimit të një prej vendimeve të MPB-së së Kosovës, Gjuriq është suspenduar në janar të vitit 2011, por edhe në maj të po këtij viti.
Lidhjet me Radoiçiqin
Nenad Gjuriq i ka ofruar publikisht përkrahje Milan Radoiçiqit në aktivitete të ndryshme që janë organizuar, ndërsa ajo që nuk është ditur deri më tash, është se nga Radoiçiqi – nënkryetar i Listës Serbe – ai ka marrë dhuratë një vilë në Liqenin e Ujmanit (Gazivodës), thuhet në të dhënat e një institucioni të sigurisë së Kosovës, në të cilat REL-i ka pasur qasje.
Ky liqen afër Zubin Potokut ndodhet në territorin e Kosovës dhe atë të Serbisë, kurse vila e Gjuriqit ndodhet në anën serbe.
Në bazë të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës – ku të gjithë zyrtarët duhet të raportojnë informacione për pronën që kanë – Gjuriq nuk ka deklaruar se posedon ndonjë pasuri të paluajtshme as në Kosovë e as në Serbi. E vetmja gjë që tregohet është se ai ka marrë një kredi për dhjetë vjet – me shlyerje në vitin 2021 – në shumë prej 30 mijë eurosh, “për të plotësuar nevojat familjare”.
Radoiçiq kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin e Brezovicës, i cili ka të bëjë me ndërtimet ilegale, ndërkohë që lidhet edhe me vrasjen ende të pazbardhur të politikanit të opozitës serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018.
Radoiçiq është bërë nënkryetar i Listës Serbe disa muaj pas vrasjes së Ivanoviqit.
Përderisa ndaj tij është lëshuar urdhërarrest, ai, në fillim të korrikut, ka dërguar një mesazh nga veriu i Kosovës, duke thënë: “Jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo”.
Radoiçiq, po ashtu, ka qenë i pranishëm në barrikadat që janë ngritur më 31 korrik në veri të Kosovës. Ai ka arritur t’i arratiset edhe Policisë së Kosovës disa herë, para arrestimit të mundshëm.
Informacionet që disponon REL-i, tregojnë gjithashtu se Gjuriq ka marrë udhëzime të drejtpërdrejta nga Beogradi për të ndihmuar dhe lehtësuar kontrabandën nga Serbia në Kosovë.
Edhe pse ka qenë zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës, në sistemin informativ ka raste të veprave penale kundër tij, për shkak të kanosjes, pengimit të drejtësisë, dyshimit për kontrabandë, marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar Gjuriqin për të marrë komentin e tij në lidhje me informacionet që ka siguruar për të, por pa sukses.
Roli i Filipoviqit?
Aleksandar Filipoviq, i cili deri vonë ka shërbyer si shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka qenë pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndërsa është bërë pjesë e Policisë së Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit.
Të dhënat në të cilat ka pasur qasje REL flasin se Filipoviq ka mbajtur kontakte me MPB-në e Serbisë përmes Slavisha Arsenijeviqit, zyrtar i lartë i MPB-së së Serbisë për Kosovën. Për takimet e tyre ekzistojnë edhe prova, gjegjësisht fotografi, ku shihen të dy ata.
REL-i ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë lidhur me këtë informacion, por, deri në publikimin e tekstit, nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Në vitin 2016, Filipoviq është bërë komandant i stacionit policor në Leposaviq, me kërkesë të Radoiçiqit, tregojnë të dhënat e siguruara nga REL-i.
Përveç Radoiçiqit, ai ka pasur lidhje të ngushta edhe me Milan Mihajloviqin, i cili është arrestuar në tetor të vitit 2022 si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Ai, gjithashtu, ka mbajtur kontakte të ngushta me përfaqësuesit rusë në Kosovë, siç është Aleksandar Rozhdestvenski, nga Zyra Ndërlidhëse Ruse në Kosovë.
Filipoviq njihet edhe si “njeriu i Vulinit”, falë kontakteve të tij të ngushta me Mile Radivojeviqin, i cili ka qenë këshilltar i Aleksandar Vulinit, derisa ky i fundit ka qenë ministër i Punëve të Brendshme i Serbisë. Vulin tani është në krye të Agjencisë Informative të Serbisë për Siguri – BIA.
Filipoviq është edhe anëtar i Asociacionit Ndërkombëtar të Policisë – seksioni i Serbisë.
Gjithashtu, të dhënat tregojnë se ai ka marrë pjesë në rekrutimin e anëtarëve të Mbrojtjes Civile – formacion në veri të Kosovës që ka funksionuar në sistemin serb, por është shpërbërë zyrtarisht në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.
Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mbrojtja Civile në veri të Kosovës është përbërë nga persona që kanë pasur përvojë ushtarake ose kanë qenë të trajnuar me metoda ushtarake.
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që të marrë një koment nga Filipoviqi lidhur me të dhënat që posedon për të, por pa rezultat.
Ish-policët janë bërë kriminelë?
Nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shtuar incidentet me armë të zjarrit dhe mjete shpërthyese, ndërsa Policia e Kosovës ka shtuar kapacitetet e saj në atë rajon, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë.
Megjithatë, mbrëmjen e 8 dhjetorit, persona të maskuar kanë tentuar të pengojnë ardhjen e njësive shtesë të Policisë së Kosovës dhe në një përleshje të armatosur është plagosur lehtë një polic.
Personat e armatosur me maska “fantome” mbi fytyrë nuk paraqesin diçka të re në veri të Kosovës. Më 31 korrik, kur janë ngritur barrikadat për të kundërshtuar autoritetet e Kosovës, ekipet e Radios Evropa e Lirë kanë dokumentuar praninë e personave të maskuar.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media më 7 dhjetor, ka fajësuar ish-policët serbë për këto sulme, që kanë braktisur pozitat e tyre.
Ai ka thënë se këtë e tregojnë të dhënat e mbledhura nga terreni nga policia apo shërbimet e inteligjencës.
Më 8 dhjetor, REL-i ka pyetur ministrin Sveçla se a kanë qenë të përfshirë në sulmet e fundit në veri Gjuriq dhe Filipoviq.
“Në momentin që Kosova ka prova se ndonjëri prej tyre ka qenë i përfshirë në sulme, policia do të ndërmarrë hapa ligjorë”, është përgjigjur Sveçla.
Shefi i policisë së Kosovës ka thënë, gjithashtu, se situata në veri mund të rrezikohet ose përkeqësohet “për shkak të akteve kriminale dhe ndonjëherë edhe terroriste nga grupe të caktuara, që janë nën menaxhimin dhe mbështetjen e Beogradit”./REL