Kushtetuta

Liderët opozitarë kujtojnë miratimin e Kushtetutës së Kosovës 13 vite më parë

Sot janë bërë 13 vjet prej që Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi për miratimin e Kushtetutës, aktit më të lartë juridik të një shteti.

Në 13 vjetorin e kësaj ditë të rëndësishme të historisë së shtetit tonë kanë uruar edhe liderët opozitarë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një komunikate për media ka uruar qytetarët e Kosovës duke kujtuar kështu rëndësinë që ka Kushtetuta e vendit tonë, e cila garanton lirnë dhe integritetin e vendit.

“Nëpërmjet Kushtetutës, qytetarëve të Republikës së Kosovës u garantohet liria me të drejtat e barabarta për secilin, ndërsa, ne, si politikbërës duhet ta kemi atë si udhërrëfyes për vlerat demokratike dhe në parimet tona udhëheqëse. Në këtë ditë veçanërisht, por, edhe çdo ditë, duhet të kujtojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti më i rëndësishëm që ruan e mbronë integritetin e sovranitetin e Republikës sonë dhe integritetin e qytetarëve tanë”, thuhet në komunikatën e dërguar nga LDK.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj duke kujtuar 13 vjetorin e miratimit të Kushtetutës, ka shkruar se sot kemi në pushtet politikanë që se kanë respektuar kushtetutën më herët.

“Fatkeqësisht, Kosova sot ka një shumicë parlamentare dhe një Qeveri e cila jo vetëm që nuk e ka njohur, por vazhdimisht e ka mohuar dhe luftuar misionin dhe funksionin e saj. Madje, ky grup njerëzish që aktualisht qeverisin me vendin kanë ardhur në pushtet duke ndjekur rrugë dhe metoda antikushtetutese dhe paraqesin një rrezik permanent për rendin tonë kushtetues”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij në Facebook.

Poashtu edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar se 13 vjetori i miratimit të Kushtetutës e gjen vendin me suksese por edhe me sfida që duhet tejkaluar.

“Trembëdhjetë vite më parë, përmes këtij dokumenti, u vulos Kosova jonë si vend sovran, i pavarur dhe unitar. Ky përvjetor, shënohet me punë e suksese të numëruara, por edhe sfida për t’i tejkaluar”, ka shkruar Haradinaj.