Foto: Ambasada Amerikane ne Prishtine.

Liderët e Kosovës të pikëlluar nga vdekja e Bob Dole

Në moshën 98-vjeçare sot ka vdekur ish-senatori amerikan Bob Dole, miku i madh i Kosovës.

Dole ka kaluar një çerek shekulli në Senatin amerikan, ku, për disa vite, ka shërbyer si udhëheqës i shumicës.

Në vitin 1990, Dole ka udhëhequr një delegacion të ShBA-së në Kosovë, ndërsa në gusht të vitit 2020, për nder të angazhimit të tij për Kosovën, busti i tij është ​vendosur në Prishtinë.

Se Bob Dole ka qenë mik i Kosovës është dëshmuar edhe në një postim të tij të fundit në Twitter. Kosova e mori një bekim nga Dole, i cili shkroi: “Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e bekoftë Kosovën”.

Vdekja e Bob Dole ka prekur edhe liderët e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu ngushllëllime duke thënë se Dole ishte një mbështetës i madh i shqiptarëve dhe kontribues në rrugën për liri, e më pas për pavarësi të Kosovës.

“I pikëlluar thellësisht nga lajmi për ndarjen nga jeta të senatorit Bob Dole. I dërgojmë ngushëllime të përzemërta familjes Dole dhe kombit amerikan, teksa pikëllohemi dhe nderojmë një hero amerikan dhe një përkrahës të madh të lirisë së Kosovës. U preftë në paqe”, shkruan Kurti në rrjetin social Twitter.

E pikëlluar është shprehur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo përmes një postimi në Twitter tha se Dole ka qenë një politikan që ka mbështetur lirinë në gjithë botën.

“E pikëlluar kur dëgjova për vdekjen e senatorit Bob Dole. Një hero lufte, një politikan i respektuar dhe një mbështetës i lirisë në të gjithë botën. Por, në veçanti jemi mirënjohës që ai gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të Kosovës në luftën tonë për pavarësi. U prehsh në paqe, mik i dashur”, ka shkruar Osmani.

Reagime pati edhe nga liderët e partive politike.

Thellësisht i pikëlluar me lajmin për vdekjen e senatorit Bob Dole u shpreh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Thellë i pikëlluar me lajmin për vdekjen e Senatorit Bob Dole, mikut të madh të Kosovës dhe popullit tonë, i cili parreshtur mbështeti rrugën tonë drejt lirisë, që nga ditët e rënda në fillim të viteve ’90, në themelimin e shtetit tonë të lirë e të pavarur e deri në ditët e sotme.
Senatori Dole ka trashëgimi historike në projektin tonë kombëtar për çlirim dhe pavarësi. Ai do të na mungojë, por trashëgimia e tij do jetojë përgjithmonë, bashkë me historinë e shtetit tonë sovran”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abixhiku, tha se me vdekjen e Bob Dole  ShBA ka humbur një patriot të vërtetë, e Kosova ka humbur një mik të madh.

“Pusho në paqe Senator Bob Dole. SHBA humbi një patriot të vërtetë; Kosova humbi një mik të madh. Senatori Dole ishte një mbështetës i shquar i lëvizjes sonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Emri i tij është gdhendur përjetësisht në themelet e shtetit tonë”, shkroi Abdixhiku në Twitter.

E lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, senatorin Bob Dole e cilësoi si një nga figurat kryesore në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetësisë.

“I pikëlluar për humbjen e senatorit Bob Dole. Senatori Dole mbetet një nga figurat kryesore që identifikon rrugën e Kosovës drejt shtetësisë. Ai ishte një nga politikanët e parë që njohu luftën tonë për liri dhe e udhëzoi Kosovën drejt asaj që jemi sot”, ka shkruar Haradinaj.

Ngushëllime shprehu edhe ambasadori i Kosovës në Washington, Ilir Dugolli, që tha se është i pikëlluar me lajmin për vdekjen e ish-senatorit amerikan, Bob Dole.

Ne i bashkohemi ShBA-së në zi për humbjen e një shërbyesi të shquar publik dhe një miku të vjetër të Kosovës”, tha Dugolli në Twitter.

Ndërsa, një postim ia kushtoi edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku. Ajo tha se senatori Dole ishte zëri i kosovarëve në Shtetet e Bashkuara.

“Në ditët tona më të rënda si komb, Senatori Dole ishte zëri ynë në SHBA. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ngushtë të lidhura me kontributin e Senatorit Dole. Pusho në paqe Senator. Kemi me të kujtu përjetë”, ka shkruar ajo në Facebook.