Vdiq miku i madh i Kosovës, Bob Dole

Ish-senatori republikan dhe kandidati për presidenti të Shteteve të Bashkuara, Bob Dole ka vdekur të dielën më 5 dhjetor, njoftoi familja e tij.

“Senatori Robert Joseph Dole vdiq në gjumë mëngjesin e sotëm. Me vdekjen e tij, në moshën 98-vjeçare, ai i ka shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet”, tha familja e tij përmes një deklarate.

Në muajin shkurt të këtij viti, senatori Dole kishte bërë të ditur se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Në vitin 1990, Dole kishte udhëhequr një delegacion të SHBA-së në Kosovë.

Në gusht të vitit 2020, në Prishtinë u vendos busti i tij. Atëbotë, përmes një video-mesazhi ai kishte shprehur mirënjohjen për inaugurimin e bustit.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, kishte thënë Dole./REL