Arkiv: Kolona në Morinë | Foto: Facebook
Lëshohet në funksion pika kufitare e revitalizuar në Morinë
Shefja e BE në Kosovë, Nataliya Apostolova, shefja e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin, zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, kanë bërë përurimin e pikë-kalimit të revitalizuar në Morinë.
Shefja e Zyrës së BE në Shqipëri, Romana Vlahutin tha se hapja e kësaj pike kufitare të revitalizuar është mundësi e mirë për të dyja shtetet dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor, të cilët e shfrytëzojnë këtë pikë kufitare.
“Jam e lumtur se jam këtu në Morinë, njëri prej kufijve më të mëdhenj në Regjion, i cili e meritonte një përmirësim. Pothuajse të gjithë ne që udhëtojnë në regjion kemi tregime për pritjet e gjata dhe vijat kufitare kaotike në kufij, veçanërisht gjatë kësaj sezone, po flas edhe nga përvoja ime që kam pritur me orë të tëra në makinë”, tha Vlahutin.
Shefja e Zyrës së BE në Kosovë, Natalia Apostolova u shpreh e kënaqur që gjendet në hapjen e kësaj pike kufitare dhe tregoi se kjo është pika e tretë kufitare që krijon mundësi dhe komunikim më të lehtë ndërmjet shqiptarëve
“Unë jam shumë e lumtur që jam këtu në kufirin e shqiptarëve dhe kosovarëve, në hapjen e kësaj pike të revitalizuar. Në një periudhë të shkurtër kohore, për disa muaj ky është projekti i tretë që jam duke marrë pjesë. Muajin e kaluar në zonën e Dragashit në Kosovë, në Shishtavec, Shqipëri dhe këtu në Morinë, për komunikim më të lehtë ndërmjet të dyja shteteve,” u shpreh Apostolova.
Revitalizimi i pikë kalimit përfshin kabina të reja kontrolluese, sistem elektronik dhe ndërtesën administrative, të cilat do të mundësojnë zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit.
Pikë kalimi kufitar në Morinë e mbulon pjesën më të madhe të qarkullimit të mallrave përmes Kosovës, si dhe pothuajse të gjithë trafikun turistik që hyn në Shqipëri nga verilindja.
Projekti prej një milion euro, i financuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, ofron infrastrukturë për kontrolle efikase të kufirit, në përputhje me kërkesat e BE-së duke pasur parasysh standardet e Schengenit.