Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK tregon se si do ta luftojnë informalitetin ekonomik

Në #DebatPernime, kandidatja për deputete, Hykmete Bajrami, dha zotimet e saj dhe të LDK-së zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Premtimet dhe zotimet e LDK-së do të mbikëqyren nga krypometri, i cili është produkt matës për deklaratat e vërteta dhe të rreme për zyrtarë, deputetë e ministra që drejtojnë Kosovën.

Hykmete Bajrami, e cila është aktualisht edhe ministre në detyrë i Ekonomisë, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta luftojë informalitetin përmes fiskalizimit dhe kthimit të qytetarëve në inspektorë.

Bajrami ka thënë se qytetarët do të krijojnë një llogari dhe do mund t’i dërgojnë kuponët fiskal e më pas shteti do t’u kthejë atyre nga 2 për qind të vlerës.

“Është e vërtetë që informaliteti është i lartë, ne e kemi parë informalitetin kur kemi dashur të ju ndihmojmë bizneset me pakon për rimëkëmbjen ekonomike dhe e kemi pasur shume vështirë për shkak që aktiviteti i tyre është i paralajmëruar. Ajo që ne po punojmë me fiskalizimin, i cili do të decentralizohet. Ne do të krijojmë incentiva që do t’i bëjmë qytetarët si lloj inspektorë. Ne do të bëjmë një softwer që do t’u mundësojë konsumatorëve që të krijojnë një llogari, e cila më pas do të lidhet me xhirollogaritë e tyre dhe shteti të ja kthen 2 për qind përmes kuponëve fiskal”, ka deklaruar Bajrami.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Fatmir Gashi nga AAK, Hykmete Bajrami nga LDK dhe Elbert Krasniqi nga IRDK, të cilët do të flasin për ‘Zhvillim Ekonomik.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.