Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak, Foto: Platfoma X

Lajçak takon Kurtin, paralajmëron takim të nivelit të lartë në shtator

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar se ka zhvilluar sot në Slloveni një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Përmes një postimi në platformën X (Twitter), Lajçak ka paralajmëruar mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë në shtator.

“Pata një takim të rëndësishëm me kryeministrin Albin Kurti  sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e Takimit të radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës 🇪🇺 të 3 qershorit”- ka shkruar ai.

Bashkimi Evropian në qershor pati vendosur masa ndaj Kosovës për siç kanë thënë ‘sjellje joevropiane’ për situatën në veri të Kosovës.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që përveç zvogëlimit të pranisë policore në objektet komunale në veri, të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.