Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak paralajmëron marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë “për disa dokumente”

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se pas diskutimeve të djeshme në Bruksel me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, është afër arritja e një marrëveshje “për disa dokumente”, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Lajçak ka thënë se hapi i fundit “është më i vështiri”.

“Pas 11 orësh negociata intensive dje, jemi afër arritjes së një marrëveshjeje për disa dokumente. Por si shpesh, hapi i fundit është më i vështiri. Puna vazhdon”, ka shkruar zyrtari evropian në Twitter.

Një ditë pas takimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës ka dalë me komunikatë për media.

Në këtë njoftim, konfirmohet se zëvendëskryeministri i së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, dje gjatë ditës zhvilloi takime dypalëshe me Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas ekzekutivit, në këto takime u diskutua për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, për ndjeshmërinë dhe urgjencën e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.

“U fol për energjinë në kuadër të marrëveshjes ekzistuese. Diskutimet me Bashkimin Evropian në këtë fushë kanë shënuar progres, megjithatë mbeten ende detaje për t’u trajtuar”, thuhet tutje në komunikatën e Qeverisë.

Çështje tjetër e diskutimit thuhet se ishte edhe ajo e targave të veturave.“Grupet teknike kanë filluar të finalizojnë propozimet e tyre përfundimtare. Takimet e grupeve teknike do të vazhdojnë deri në përzgjedhjen përfundimtare të opsioneve sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian”, theksohet në njoftim.

Takimet e së martës në Bruksel përfunduan pa takim trepalësh mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së. Nuk dihet ende se pse nuk është mbajtur takimi mes të dyja palëve Kosovë-Serbi.

Se pse nuk ka pasur takim trepalësh në Bruksel, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2011.