Lajçak: Nuk kemi parë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se deri më tani nuk është parë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.
Ai tha për mbajtjen e zgjedhjeve ka dy mënyra, ose përmes dorëheqjes së kryetarëve aktualë në veri të Kosovës, apo përmes referendumit.
“Nuk ka ndonjë afat kohor, sepse gjithçka varet nga vullneti politik. Natyrisht ka procedura kushtetuese që duhet të respektohen, ose përmes dorëheqjes së kryetarëve, apo përmes referendumit. Por, deri më tani nuk kemi parë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme” – deklaroi Lajçak gjatë diskutimit në Këshillin Atlantik.
Ai shtoi se “beson që duhet të bëj thirrje për zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Osmani kanë deklaruar ditëve të fundit se janë të gatshëm të organizojnë zgjedhje të reja në veri, por me kusht që të largohen protestuesit e dhunshëm.