Lagjja e planifikuar në Badovc nuk ka asnjë mundësi të furnizimit me ujë e as të ndërtimit të kanalizimit

Kompania e cila e menaxhon liqenin e Badovcit nuk ka asnjë informacion rreth planifikimeve që të ndërtohet një lagje në afërsi të liqenit.

Kryeshefi i kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Prishtina”, Illir Abdullahu, ka thënë për KALLXO.com se informacionet i ka marrë nga mediat dhe se askush nuk e ka kontaktuar kompaninë menaxhuese, ujësjellësin K.R.U “Prishtina”.

Abdullahu ka treguar se ndërtimet në zonën e parë dhe të dytë të liqenit të Badovcit janë të rrezikshme sepse ndikojnë në në kualitetin e ujit me të cilin furnizohet rreth 30% e Prishtinës.

“Në zonën e dytë dhe të tretë duhet të ketë kujdes secili institucion dhe individ i cili fillon planifikon ndërtim ose aktivitet dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë këto zona janë strikte sepse ndikon në kualitetin e ujit. Burimet e ujit, Badovci e Batllava janë burimet tona të ujit, të cilat duhet të ruhen, mirëmbahen dhe mirë-menaxhohen. Çdo investim që planifikohet në zonën e Badovcit ka me paraqitë vështirësi në furnizimin me ujë, duhet të kujdesemi shumë për të gjitha planifikimet dhe paraprakisht për çdo gjë duhet të konsultohet edhe ujësjellësi që në të ardhmen të mos ketë vështirësi të shpërndarjes së ujit të pijshëm”, ka thënë Abdullahu.

Ndër të tjera Abdullahu ka thënë se lagjja e planifikuar të ndërtohet është pjesë periferike dhe nuk ka asnjë mundësi të furnizimit me ujë dhe ndërtimit të kanalizimit.

“Lagjja nuk ka bërë kurrfarë kërkese dhe nuk ka kurrfarë mundësi të furnizimit të asaj lagjeje me ujë, larg janë mundësitë edhe për ujësjellës edhe për kanalizim, nuk ka mundësi. Ajo është një zonë periferike dhe asnjëherë nuk kemi pasur asnjë ide që mund të ketë në atë pjesë ndërtime. Ata nuk kanë ardhur asnjëherë dhe edhe po të vinin, ne nuk do të jepnim asnjë aprovim, jo vetëm për këta investitor, por të gjithë sepse duhet t’i mbrojmë resurset sepse e kemi edhe përgjegjësi ligjore”, shton më tej ai.

Ai ka treguar se kjo kompani si menaxhuese e liqenit të Badovcit do të punojnë që të rrethojnë zonën e parë prej dhjetë metrash në mënyrë që të kos kenë qasje qytetarët sepse larja dhe aktivitetet e peshkimit liqeni i merr me vete nga ku shkaktohet edhe ndotja e ujit në masë të madhe.

Eksperti i ujërave tregon se a duhet të lejohen ndërtimet në Badovc – VIDEO

.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.