Kuvendi sërish në pauzë, Konjufca fton në takim nënkryetarët e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës për të shkuar sërish në pauzë deri në orën 14:00.

Këtë vendim e mori kryeparlamentari, Glauk Konjufca pasi deputeti nga PDK, Abelard Tahiri e kishte përplasur në tokë kutinë ku pritej të hidheshin votat për dy kandidatët për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Konjufca i ftoi nënkruyetarët e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare që të mbajnë takim lidhur me procedimin e mëtutjeshëm të seancës.

“I ftoj nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare të mbajmë një mbledhje lidhur me procedimin e mëtutjeshëm të seancës”, deklaroi Konjufca.

Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj pak minuta më parë ka marrë kutin në të cilën pritet të vendosen votat e deputetëve për kandidatët për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Zemaj këtë kuti e vendosi në tavolinat e grupit parlamentar të kësaj partie.

Më pas deputeti i LVV-së, Salih Zyba solli një kuti të re, mirëpo një veprim të tillë e kundërshtoi dputeti i PDK-së, Abelard Tahiri duke e përplasur në tokë.

Opozita edhe pas pauzës e vazhdoi protestën duke goditur tavolinat e Kuvendit me dorë dhe me shishe uji.