Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi miraton Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Pro këtij ligji kanë votuar 62 deputetë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca konstatoi se për këtë projektligj nuk pati vota kundër as abstenime.

Ky projektligj në parim është miratuar në mars të vitit 2023.

I njëjti është propozuar nga deputetët anëtarë në Komisionin Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

Ky ligj ka për qëllim të parandalojë dhe trajtojë dhunën ndaj grave, dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, të mbrojë dhe të kontribuojë në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave si dhe të ndërtojë mekanizmat e nevojshëm për ofrimin e mbështetjes ndaj viktimave të të gjitha formave të dhunës të rregulluara me këtë ligj.

Numri i raportuar i rasteve të dhunës në familje në Kosovë është rritur në vitet e fundit.

Gjetjet nga një raport i bërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) tregojnë se në periudhën janar-gusht 2022, në nivel vendi, në Policinë e Kosovës janë raportuar 1852 raste të dhunës në familje.