Kuvendi i Kosovës mban dy seanca këtë javë
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, pa pjesëmarrjen në votim të opozitës, ka vendosur për mbajtjen e dy seancave këtë javë.
Njëra seancë do të mbahet të enjten, me vazhdimin e shqyrtimit të pikave të papërfunduara, ndërsa të premten do të mbahet një seancë e re.
Seanca e së premtes do të jetë e fundit për këtë sesion të punës së legjislativit.
Pas mbledhjes së kryesisë, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se të enjten seanca nis në ora 11:00.
E pyetur në lidhje me paralajmërimet për protesta të veteranëve për mospërfshirë në Ligjin për paga, ajo tha se projektligji tashmë është në Gjykatën Kushtetuese.
“Projektligji është dërguar në Kushtetuese. Paga minimale është ajo që paguhet tek sektori privat nga i cili ndikohen të rinjtë, rojet e mirëmbajtësit. Ndarja e veteranëve nga projktligji është bërë në vitin 2017. Ne do vijmë në vendet e punës dhe nuk konsiderojmë raportin me veteranët si kërcënues, në të kundërtën madje duam të bëjmë një zgjidhje”- tha Kusari-Lila.
Në lidhje me debatin për audioincizimet në të cilat e përfshirë është vetë Kusari-Lila në biseda me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavo Simiq, vitin e kaluar, ajo u shpreh se në Kuvend është mbajtur debat i gjerë në lidhje me këtë çështje .
Ajo paralajmëroi kallëzim penal për ish-deputetin Simiq, si dhe gazetarin që ka publikuar audioincizimet.
“Kishim debat të gjerë në lidhje me incizimet në këtë kontekst çdo ditë pas publikimit të incizimeve kam dhënë intervista dhe nuk kam hezituar. Konsiderojmë që seancat të jenë brenda agjendës lëgjislative, besojmë që debate të tilla mund të zhvillohen në studio televizive siç i kemi parë deri më tani”.
“Kam të përgatitura për këtë çështje dy kallëzime penale një ndaj ish-deputetit Simiq dhe një ndaj gazetarit që i ka publiku ato incizime të jashtligjshme dhe të edituara”- shtoi ajo.
Gazeta Nacionale ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Ky audio-incizim, siç ka thënë Gazeta Nacionale, ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, ku deputetja Kusari-Lila ka biseduar me ish-deputetin Simiq edhe për Millan Radojiçiq, i cili është person i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Përpos kësaj, Radojiçiq është i dyshuar edhe në rastin Brezovica e madje edhe është në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.