Kushtetuesja: Ligji për zyrtarët publikë i pazbatueshëm në Sistemin e Drejtësisë dhe Institucionet e Pavarura

Kushtetuesja njëzëri ka vendosur se ligji për zhytarët publikë është kundërkushtetues lidhur me ndarjen e pushteteve, pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe barazinë para ligjit.

Sipas gjykatës ky ligj cenon parimin e ndarjes së pushtetit të garantuar me Kushtetutë, si dhe pavarësinë e institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Mbi këtë bazë, Kushtetuesja ka vendosur që ky ligj nuk  zbatohet në raport me: Këshillin Gjyqësor dhe  Këshillin Prokurorial të Kosovës; Gjykatën Kushtetuese; Institucionin e Avokatit të Popullit, Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Bankën Qendrore të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur të i Mediave, përderisa cenohet pavarësia e tyre funksionale dhe organizative e garantuar me Kushtetutë.

Tutje Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Republikë së Kosovës, duhet të ndërmerr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë në harmoni me gjetjet e këtij Aktgjykimi si dhe ka shfuqizuar vendimin për caktim të masës së përkohshme të 19 nëntorit 2019, dhe vendimet për vazhdimin e masës së përkohshme të 26 shkurtit 2020 dhe të 22 prillit 2020.

Ky ligj sipas vlerësimit të gjykatës cenon pavarësinë funksionale dhe organizative të sistemit të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese dhe Institucioneve të Pavarura.

Aktgjykimi i Kushtetueses thotë se në lidhje me institucionet e sistemit të drejtësisë, Ligji për zyrtarët publikë i jep kompetenca të gjera Qeverisë që të menaxhojë dhe mbikëqyr nëpunësit civil të administratës publike, duke përfshirë, edhe nëpunësit civil të institucioneve të pushtetit të Gjyqësorit, siç janë nëpunësit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe; Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Tutje në aktgjykim thuhet se ligji i ka dhënë Qeverisë kompetenca për të nxjerr akte nënligjore për të rregulluar, çështjet e rekrutimit, emërimit, ngritjes në detyrë, orarit të punës, klasifikimit të pozitave, shkeljet disiplinore, e që në thelb ndikojnë edhe në funksionimin, klasifikimin e pozitave por edhe sistematizimin dhe strukturën organizative të institucioneve përkatëse të Gjyqësorit dhe të Institucioneve të Pavarura.

Por Kuvendi ka rezervuar të drejtën që të nxjerrë akte nënligjore lidhur me nënpunësit civil të Kuvendit të Kosovës.

Nga aktgjykimi rezulton se Ekzekutivi nuk do të ketë kompetenca “ndërhyrëse” në menaxhimin e nëpunësve të Kuvendit, ndërkaq që për pushtetin e Gjyqësorit dhe të Institucioneve të Pavarura nuk është paraparë asnjë garanci për të parandaluar “ndërhyrjet” në menaxhimin e nëpunësve të tyre.

Kushtetuesja konstatoi se Kuvendi ka dështuar të sigurojë mosndërhyrjen në menaxhim te nëpunësit e Gjyqësorit dhe të Sistemit të Drejtësisë, ashtu që të siguronte ndarjen e pushteteve jo vetëm në aspekt të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe lidhur me stafin mbështetës të tyre, njësoj sikurse kishte bërë për nëpunësit e Kuvendit dhe të Qeverisë.

Gjykata në fund konstatoi që nuk është e nevojshme që Ligji i kontestuar të shfuqizohet në tërësinë e tij. Gjykata konstatoi se Kuvendi është i obliguar që të ndërmerr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë në harmoni me gjetjet e këtij Aktgjykimi.

Deri në plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji  nga ana e Kuvendit, dispozitat e ligjit zbatohen vetëm për aq sa nuk cenojë pavarësinë funksionale dhe organizative të Institucioneve të Pavarura.

Ndërsa në raport me të gjitha institucionet tjera, Ligji për Zyrtarët Publikë zbatohet nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me kundërshtutetushemërinë e Ligjit për pagat e zyrtarëve publikë në raport me Institucionet e Sistemit të Drejtësisë.

Kushtetuesja: Ligji për Paga e cenon pavarësinë e sistemit të drejtësisë