Kushtetuesja: Ligji për Paga e cenon pavarësinë e sistemit të drejtësisë

Ligji për Paga në Sektorin Publik është shfuqizuar, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se është kundërkushtetues.

Sipas Gjykatës, ky ligj në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Në këtë bazë, Kushtetuesja ka shpallur të pavlefshëm ligjin dhe ka shfuqizuar vendimin për caktim të masës së përkohshme të 12 dhjetorit 2019, si dhe vendimin për vazhdim të masës së përkohshme të 30 marsit 2020.

Ky ligj sipas gjykatës cenon pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në vlerësimin e gjykatës gjejmë se ligji i kontestuar përjashton në tërësi pavarësinë e sistemit të drejtësisë sepse nuk i është lënë asnjë kompetencë vetërregulluese për çështje që ndërlidhen sipas gjykatës me jetësimin e pavarësisë funksionale, organizative dhe buxhetore.

Gjykata po ashtu shënoi faktin se, ligji i kontestuar i jep kompetenca të veçanta Qeverisë që përmes akteve nënligjore dhe pas konsultimit me ministritë përkatëse të rregullojë çështje të caktuara, përfshirë çështje që prekin gjyqësorin dhe institucionet e pavarura.

Gjykata ka vlerësuar se fakti që ligji i kontestuar bën përjashtim dhe i jep kompetenca Kuvendit  për të gjitha çështjet lidhur me shtesat dhe kompensimet e nëpunësve të vet, stafit të rregullt dhe politik, dhe të vet deputeteve, është përjashtim që paraqet një problem serioz kushtetues të ligjit në fjalë.

Në vendim thuhet se përjashtimi selektiv i vetëm njërit pushtet dhe mos respektimi i garancive kushtetuese të pushteteve tjera, duke injoruar tërësisht institucionet e sistemit të drejtësisë, është zgjidhje legjislative që nuk përkon me vlerat dhe parimet e Kushtetutës, veçanërisht me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Sipas gjykatës ky rregullim ligjor i paraparë më këtë ligj duke e përjashtuar në tërësi kompetencat vetërregulluese të gjyqësorit, krijon një disbalancim në ndarjen e pushteteve.

Madje ky rregullim ligjor është vlerësuar si potencial që krijon vartësi e varësi të pushtetit gjyqësor ndaj atij ekzekutiv.

“Një rregullim i tillë ligjor është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën” thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata ka vlerësuar se me ligjin e kontestuar janë shfuqizuar shprehimisht disa nene specifike të ligjeve të gjyqësorit që më parë e rregullonin çështjen e pagave të pushtetit gjyqësor në përgjithësi, të Gjykatës Kushtetuese dhe dy këshillave atij Gjyqësor dhe Prokurorial,  e që megjithatë përmes po të njëjtit ligj është paraparë që ky i fundit nuk zbatohet ndaj funksionareve të lartpërmendur.

Sipas gjykatës me këtë rregullim të shkujdesur ligjor rezulton se ligjvënësi do t’i kishte lënë funksionarët në fjalë pa asnjë rregullim ligjor dhe se koncepti i ruajtjes së pagave të gjyqësorit vetëm deri në fund të vitit 2022 dhe më pas uljen drastike të pagave pas asaj date, paraqet një skenar që do të vendoste në një presion të pakëshillueshëm gjyqësorin kundrejt pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.

KALLXO.com ka raportuar me herët për këtë vendim të Gjykatës.

Gjykata Kushtetuese shfuqizon Ligjin për Pagat