
Kushtetuesja: Inspektorati i Punës kundërligjshëm mori kompetencat e gjykatës
Qindra vendime të Inspektoratit të Punës ndër vite janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin, pasi vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetutës konstatoi se Inspektorati i Punës gabimisht ka marrë rolin e gjyqësorit kur ka vendosur për kthimin në punë të punëtoreve, kërkesat për pagat, vendimet disiplinore dhe kërkesat tjera të përcaktuara në Ligjin e punës.
Kushtetuesja konstatoi se asnjë inspektorat nuk mund të ushtrojnë funksione të natyrës gjyqësore, dhe se për kthimin në punë, kërkesat për pagat dhe ligjshmërinë e vendimeve vendos vetëm Gjykata.
“Organet inspektuese sipas natyrës së funksioneve që ushtrojnë dhe statusit institucional të përcaktuar nga aktet që kanë themeluar ato, janë pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe si të tilla nuk mund të ushtrojnë funksione të natyrës gjyqësore”- thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Vendimi i Kushtetueses erdhi pasi një vit më parë Gjykata Supreme e Kosovës kishte kërkuar sqarime në lidhje me kompetencat e Inspektoratit të Punës.
Duke e pasur parasysh numrin e madh të vendimeve të Inspektoratit të Punës që po anuloheshin nga gjyqësori për shkak të tejkalimit të kompetencës gjyqësore, Supremja ishte dertuar në Kushtetuese për interpretimin e Ligjit të Punës.
Instanca më e lartë e gjyqësorit kishte vlerësuar se Inspektorati i Punës ishte duke ndërhyrë në kompetencat e gjyqësorit dhe si rrjedhojë kishte kërkuar sqarime në Gjykatën Kushtetuese.
Kushtetuesja përfundimisht i dha fund dilemës nëse Inspektorati i Punës mund të vendosë në lidhje me ligjshmërinë e vendimeve dhe kthimin në punë të punëtore.
Vendimin e plotë të Kushtetueses mund ta gjeni në këtë LINK.