Kushtet e mjerueshme ku mësojnë nxënësit e shkollës “Gjon Serreçi”

Dritaret nuk hapen dhe kjo e shton kundërmimin në shkollën fillore ku mësojnë rreth 2 mijë e 500 nxënës të Ferizajt

 

Shkolla fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj zhvillon mësimin me dritare të vjetërsuara, me gypa të ndryshkur që e bënë ujin e pa pijshëm dhe me tualete shumë të papastra.

Tualeti në shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj.

Vjetërsia dhe mungesa e investimit në këtë shkollë vërehet që nga pamja e jashtme ku objekti thuajse është i zhveshur nga fasadimi.

Pamja është konsistente edhe nëpër klasë që kanë dysheme të vjetra, tabela të shkatërruara e madje edhe tela të hapur të rrymës që rrezikojnë nxënësit.

Ankesa për këto probleme ka edhe Drejtori i Shkollës, Nazmi Heda.

“Objekti është i stërvjetëruar, i para tri dekadave, dyshemete janë të para tri dekadave, driatret të drurit që nuk hapen hiç, sistemit i ujit ka vende që është me gypa dhe nuk guxojnë brenda me pi ujë sepse gypat janë të ndryshkur dhe shkolla është e parrethuar”, ka thënë Nazmi Heda, Drejtor i shkollës fillore Gjon Serreçi.

Pakënaqësi ka edhe tek prindërit dhe fëmijët të cilët tregojnë se brenda objektit ka erëra të këqija.

“Si te hapim derën e shkollës vërehet shkolla e vjetër edhe problemet që i ka shkolla”, ka thënë E.S nëna e një nxënësi.

Ndërsa problem tjetër për nxënësit është mungesa e rrethojës së objektit shkollor dhe qentë endacak.

Megjithë problemet e mëdha, një zgjidhje e shpejtë për nxënësit e kësaj shkolle nuk shihet në horizont.

Gjatë viteve është planifikuar që kjo shkollë të kalojë në një objekt tjetër, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Ne jemi tu e ndërtu shkollën e re, po planifikojmë që Gjimanzi “Shaban Hashani” që është afër “Gjon Serreç-it” me kalu në shkollën e re që është duke u ndërtu edhe pastaj nxënësit e “Gjon Serreçit” kalojnë ku momentalisht është “Shaban Hashani”, kjo është e vetmja formë që mundem me bo”, ka shpjeguar Afrim Llabjani, Drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt.

Drejtori Llabjani ka treguar se gjatë viteve ka pasur renovime, por të cilat nuk kanë mjaftuar sepse objekti është shumë i vjetër dhe është planifikuar të prishet. Megjithatë ai nuk ka dhënë afat të saktë kur pritet bartja e nxënësve.

Përpos problemeve me sigurinë shëndetësore, organizatat e shoqërisë civile që merren me fushën e arsimit, kushtet e tilla në shkollë i shohin si pengesë të madhe në mësimnxënie.

Jehona Gjurgjeala, drejtoreshë e organizatës “Toka”, thotë se situata në këtë shkollë është shqetësuese në disa rrafshe.

Gjendja e vjetër e shkollës do te ndikojë në cilësinë e nxënies, sidomos gjatë dimrit, pasi që në një ambient të ftohtë dhe joadekuat për mësim, thjesht nxënësi do ta ketë vështirë të koncentrohet dhe të mësojë si duhet. Ndërsa, kushtet e dobëta higjienike mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme te femijët, që është një rezultat edhe më brengosës për nxënësit dhe prindërit”, tha Gjurgjeala.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Arsimit që për këtë çështje e kanë bërë përgjegjës Inspektoratin e Arsimit.

As këta të fundit nuk i janë përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com lidhur me këtë shkollë.

“Gjon Serreçi” është ndër shkollat më të mëdha në Komunën e Ferizajt dhe ndodhet në qendër të qytetit me rreth 2500 nxënës dhe rreth 150 punëtorë