Kurti viziton Muzeun e Masakrës së Krushës së Madhe: Dëshmi e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vizituar Muzeun e Masakrës së Krushës së Madhe.

Aty Kurti kujtoi 22 dëshmorët dhe 155 martirët e vrarë nga forcat e Serbisë.

Në komunikatën e Kryeministrisë thuhet se u kujtuan edhe 64 të pagjeturit e Krushës, mes tyre profesori Ukshin Hoti pas largimit nga burgu dhe 14 nga komuniteti ashkali.

“Një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb mbi civilët shqiptarë”- ishte cilësimi që iu dha kësaj masakre nga Zyra e Kryeministrit.

Mes tjerash në komunikatë thuhet se në mesin e 155 civilëve të vrarë përgjatë datave 25-27 mars 1999 u vranë edhe shtatë fëmijë e pesë gra, njëra prej tyre ishte edhe shtatzënë.

Në këtë masakër u dogjën mbi 700 shtëpi, institucione fetare e kulturore si dhe u shkatërrua pasuria e fshatarëve.

Banorët e Krushës sipas komunikatës folën për dy krematoriumet. Nga i pari ka ende gjurmë e aty u dogjën 19 civilë shqiptarë ndërsa në të dytin, “në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, forcat paramilitare serbe kanë djegur mbi 40 civilë të pafajshëm shqiptarë”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Shtëpia e familjes së Nezir Durakut u vizitua më 23.06.1999 nga ministri i jashtëm i atëhershëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook.

Kryeministri Kurti në librin e kujtimeve të Muzeut shkruajti: “Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi sa e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale aq edhe dëshmi se Republika e Kosovës edhe ka ngadhënjyer edhe nuk harron. 64 krushjanë janë edhe të pagjetur! Lavdi 22 dëshmorëve dhe 155 martirëve të kombit nga Krusha e Madhe”.

Vizita e Kurtit në Muzeun e Masakrës së Krushës së Madhe ndodhi në përvjetorin e lindjes së Ukshin Hotit.

 

Kurti në Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit: E vërteta për të me siguri ndodhet në arkivat e Beogradit