Kurti viziton Istogun pas vërshimeve

Kryeministri i vendit ka vizituar sot komunën e Istogut, një ditë pasi ky rajon u përshi nga vërshimet.

Përmes një njoftimi në Facebook, Kurti tha se janë angazhuar rreth 20 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kurti premtoi që Qeveria që drejton do t’i dal në ndihmë gjithë qytetarëve të prekur nga vërshimet.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata” – shkroi ai.

Disa rajone të vendit gjatë së enjtes u përfshinë nga vërshime. Komunat më të prekura ishin, Skenderaj, Mitrovica, Peja, Istogu dhe Podujeva.

Ky është njoftimi i plotë i Kurtit:

Bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituam rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, po e bëjnë të pamundurën që t’iu dalin në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog. Aty, te “Ura në Drejë”, mbi lumin Kujavç, na priti kryetari i komunës Ilir Ferati i cili na njoftoi me gjendjen e vështirë dje dhe sot. Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.

Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet.

 

Pasojat nga vërshimet në Kosovë