Pasojat nga vërshimet në Kosovë

Disa komuna të Kosovës të enjten u goditën nga vërshimet pas reshjeve të dendura të shiut. Pas rënies së nivelit të ujit nëpër komunat e prekura, kanë filluar të dalin në pah pasojat.

22:47

KRU “Mitrovica” njofton ku do të vendoset sonte cisterna me ujë të pijes

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se cisterna me ujë të pijes do të vendoset te shkolla fillore “Migjeni” në Iliridë nga ora 22 deri në orën 23:30.

Ndërsa, nga ora 23:30, ajo do të vendoset në fshatin Gushafc dhe aty do të qëndrojë derisa të zbrazet komplet.

Sot në mbrëmje, IKShPK ka njoftuar se nga dje, si pasojë e vërshimeve, fabrikat në Balicë të Vushtrrisë dhe në Shipol të Mitrovicës kanë ndërprerë furnizimin në Mitrovicë dhe Skënderaj për shkak të rritjes së turbullirës në ujin e papërpunuar.

22:34

Skenderaj, shpërndahen ndihma ushqimore për familjet e prekura nga vërshimet

Ekipi Emergjent në Komunën e Skenderajt ka bërë sot shpërndarjen e pakove ushqimeve tek familjet të cilat janë të prekura nga vërshimet dhe nuk kanë mundësi të furnizimit me ushqime dhe gjësende të tjera. 

Komuna e Skenderajt po përballën me një gjendje të jashtëzakonshme, pas përmbytjeve që shkaktuarn reshjet e shiut gjatë ditës së djeshme. 

“Ndonëse situata me reshje është qetësuar, shumë familje shtëpitë e të cilave janë përfshirë në ujë, kanë nevojë për ndihmën tonë, me gjëra ushqimore, veshmbathje, batanije, higjienë dhe gjëra të tjera të nevojshme. Është urgjente që t’u dalim në ndihmë në këto momente të vështira” – thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt në Facebook. 

Foto: Komuna e Skenderajt/Facebook

21:59

Ministria e Punëve të Brendshme tregon intervenimet që janë bërë pas vërshimeve

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se pas ndërprerjes së reshjeve të shiut, situata është më stabile dhe ajo është e angazhuar dhe në dispozicion të plotë për veprim.

“Ministria e Punëve të Brendshme përmes Qendrës Operative Emergjente, mbetet e angazhuar të sigurojë rrugët kryesore dhe alternative të qarkullueshme, përmes AME-së dhe në koordinim me Ndërmarrjet Publike, të sigurojë ujë të pijes, si dhe të plotësojë nevojat të tjera të mundshme të qytetarëve nga zonat e vërshuara” – thuhet në komunikatën e MPB-së.

Ministria tregon që institucionet relevante kanë intervenuar në dy lokacione në Skenderaj, në 4 lokacione në Mitrovicë dhe janë siguruar cisterna për ujë të pijes në këto dy komuna sipas kërkesave.

Ndërkaq në Klinë, në disa lokacione ka filluar intervenimi me pompa për largimin e ujit dhe varësisht kërkesave do të vazhdojë edhe në zonat tjera të kësaj komune.

MPB ka apeluar për kujdes të shtuar dhe në rast nevoje për komunikim me institucionet relevante mund ta kontaktoni përmes numrave emergjent: 112, 192, 193 dhe 194.

Foto: MPB

21:38

Hamza: Mbi 100 familje janë evakuuar në Mitrovicë

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani, ka njoftuar se pas vërshimeve më shumë se 100 familje janë evakuuar në Mitrovicë.

Hamza ka potencuar se fillimisht është bërë një mobilizim i të gjithë akterëve relevant komunal përmes Qendrës Operative Emergjente Lokale për menaxhimin e vërshimeve, të cilët janë duke e monitoruar gjendjen në çdo cep të Komunës së Mitrovicës.

Hamza po ashtu ka treguar se dje në Mitrovicë ka patur një situatë të jashtëzakonshme e të paparë ndonjëherë.

21:24

Forcat e Armatosura të Shqipërisë vendosen në Kukës, të gatshme për t’i ndihmuar Kosovës për t’u përballur me vërshimet 

Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë vendosur në Kukës, duke qëndruar të gatshëm për të mbështetur vendet e prekura nga vërshimet në Kosovë.

Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi.

“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës. Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira” – ka shkruar Peleshi.

20:44

Osmani premton angazhim maksimal për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Klinën, Skënderajn e Mitrovicën dhe bizneset e familjet e prekura nga vërshimet në këto vende.

Ajo ka vizituar Klinën, Skënderajn dhe Mitrovicën dhe ka takuar krerët e këtyre komunave, Zenun Elezajn, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën.

Në këto takime, Osmani ka theksuar se që nga mbrëmë ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet e sigurisë dhe ka vlerësuar angazhimin e strukturave komunale dhe institucioneve emergjente për të ndihmuar qytetarët dhe për t’i minimizuar dëmet në ekonomi familjare.

E para e vendit ka premtuar që institucionet qëndrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet.

Vizita ka bërë edhe në biznese dhe ekonomi familjare që kanë pësuar dëme.

“Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë” – është shprehur presidentja.

Në këto tri komuna, sipas njoftimit, Vjosa Osmani ka ofruar mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, andaj angazhimi dhe solidariteti i të gjithëve është i nevojshëm në një situatë të tillë.

20:25

Ministria e Ekonomisë njofton se cilat vende po përballen me mungesë të rrymës pas vërshimeve

Gjatë ditës së sotme, për shkak të vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut disa rajone të Kosovës si Peja, Istogu, Mitrovica, Vushtrria, Klina, Podujeva, Gjakova, disa zona të këtyre komunave po përballen me mungesë të energjisë elektrike.

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se për shkak të sigurisë së banorëve të këtyre zonave ekipet e KEDS-it janë detyruar të bëjnë shkyçjen e disa daljeve nga furnizimi, pasi që disa shtëpi janë përfshirë nga vërshimet.
 “Megjithatë, deri më tani në disa zona kanë rritur t’i riparojnë dëmet dhe po punojnë vazhdimisht deri në sanimin e këtyre problemeve. Ministria e Ekonomisë është në kontakt dhe koordinim të plotë me institucionet relevante të energjisë për të bërë maksimumin në sanim të rrjetit sa më shpejtë që është e mundur” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Në njoftim thuhet se aktualisht disa zona të komunave të Skenderajt, Mitrovicës dhe Pejës janë duke u përballur me vështirësi më të mëdha për furnizim të rregullt.
“Ministria e Ekonomisë është në kontakt të vazhdueshëm me Kompaninë e Distribuimit të Energjisë, KEDS, ekipet e të cilës janë në terren duke sanuar rrjetin. Për çdo prishje apo informatë për rrjet, ju lutem të njofton KEDS-in në numrin zyrtar 0800 791 00 apo në rrjetet e tyre sociale” – përfundoi Ministria e Ekonomisë.

20:20

IKShPK njofton për gjendjen e furnizimit me ujë sipas rajoneve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar për gjendjen e ujit, furnizimit me ujë dhe ka dhënë disa rekomandime për t’u përballur me gjendjen e përkeqësuar për shkak të vërshimeve.

IKShPK ka rekomanduar vlimin e ujit para përdorimit dhe shfrytëzimin e resurseve të sigurta ose ujit të ambalazhuar.

“Uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike. Kjo procedurë e vlimit të ujit është aq e thjeshtë dhe e zakonshme, por e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike” – ka njoftuar IKShPK.

Në disa zona të vendit janë shtuar turbullira në shumë burime dhe si pasojë ka vështirësi në trajtim të ujit, prandaj IKShPK ka njoftuar për gjendjen sipas rajoneve.

Prishtinë

Sipas KRU “Prishtina” fabrika në Shkabaj dhe fabrika në Drenas janë jashtë funksionit për shkak të pamundësisë të proceseve teknologjike të përpunimit te ujit.

“Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërê zonat e shërbimit të KRU-Prishtina. Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e IKShPK janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human” – thuhet në njoftim.

Mitrovicë

Referuar KRU “Mitrovica”, nga dje fabrikat në Balicë të Vushtrrisë dhe në Shipol të Mitrovicës kanë ndërprerë furnizimin në Mitrovicë dhe Skënderaj për shkak të rritjes së turbullirës në ujin e pa përpunuar.

Thuhet se në orët e pasdites pritet të startojë trajtimi me kapacitet të zvogluar.

“Në mostrat e grumbulluara deri dje, analiza laboratorike fiziko-kimike rezultojnë me vlerë të ngritur të turbullirës e cila i tejkalon vlerat standarde të lejuara. Nga rezultatet preliminare të mostrave bakteriologjike të ditës së djeshme, janë në rimbjellje dhe rezultatet përfundimtare që do të përfundojnë nesër” – thuhet në njoftim.

Pejë

KRU “Hidrodrini” ka lajmëruar që turbullira vazhdon të jetë prezente në burimin e Drinit të Bardhë në Radavc dhe burimin e Shkozës në Junik.

Për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi Jarine – Klinë dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga fabrika e ujit në Klinë. Gjithashtu është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi i ujit drenazhet sistemi CDF-Deçan.

“Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP – Pejë janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human” – ka njoftuar IKSHPK.

Gjakovë

Në zonat e furnizimit nga KRU ”Gjakova” thuhet se gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë, të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm.

Ndërsa, në zonat e furnizimit nga burimet në Demjan dhe Gërqinë uji nuk është i pijshëm për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës

Ferizaj

Sipas KRU “Bifurkacioni” të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë dje dhe sot në Ferizaj dhe Kaçanik janë brenda standardeve për ujin e pijes.

Ndërkaq, sipas njoftimit uji në rrjetet shpërndarëse nga sisteme me vlera të shtuara të turbullirës nuk është brenda standardit të paraparë dhe nuk rekomandohet të pihet.

Qendra e Ujit e IKSHPK-së ka rekomanduar të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) që me qëllim të stabilizimit të furnizimit të përdorin burimet e paprekura, të bëjnë furnizimin me autobote/cisterna me ujë të pijshëm, të riparojnë dhe zhbllokojnë pusetat, të riparojnë dëmtimet në rrjetin shpërndarës dhe të kenë kujdes të shtuar në procesin e trajtimit dhe dezinfektimit.

Siç njofton Instituti, ai është në bashkëveprim të vazhdueshëm me KRU-të dhe me institucionet shtetërore deri në qetësimin e situatës dhe ekipet e tij janë në gjendje gatishmërie e po vazhdojnë me monitorim të rregullt dhe në dispozicion me të gjitha kapacitetet për të ruajtur situatën stabile dhe për çdo përkeqësim të situates epidemiologjike do të informojë në kohë reale.

18:55

Ministria e Punëve të Brendshme njofton për veprimet që janë ndërmarrë në komunat e prekura  nga vërshimet

Në vazhdën e pranimit të kërkesave nga qytetarët dhe komunat e Republikës së Kosovës, Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme njofton se ka bërë koordinimin e veprimeve të saj të mëtutjeshme me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve.

Në kuadër të kësaj, Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve të asistuar nga Njësitë e komunave që kanë situatë të qetë përballë vërshimeve, kanë reaguar në disa lagje të qytetit të Skenderajt dhe Mitrovicës së Jugut.

“Po vijon hapja e kanaleve për rrjedhje të ujit në zonat e Mitrovicës së Jugut dhe në komunat veriore ku ka përmbytje. Për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve spitalore, Njësitë e Zjarrfikësve kanë sjellur një autocisternë në Spitalin e Mitrovicës” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në shtëpitë e vërshuara nga uji në zona të ndryshme të Komunës së Zveçanit planifikohet të fillojë nxjerrja e ujit me pompa ndërsa në zona të Komunës së Leposaviçit, ky proces veçse ka filluar nëpër shtëpi të vërshuara nga uji.

“Rrëshqitjet e dheut të shkaktuara pasditen e sotme kryesisht në komunat veriore janë sanuar nga Njësitë e Zjarrfikësve dhe kompani të ndryshme ndërsa në zona të tjera po shfrytëzohen rrugët alternative” – përfundon njoftimi i MPB-së.

17:15

Policia e Kosovës vazhdon asistencën nëpër qytetet e prekura nga vërshimet

Pas reshjeve të shiut dhe vërshimeve gjatë ditës së djeshme dhe në mbrëmje, kryesisht në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të vendit, sot ka filluar të bie niveli i ujit, kurse aktivitete policore në ato rajone vazhdojnë të jenë aktive.

Nga raportime e njësive policore nga tereni, raportohet se në rajonin e Mitrovicës së Jugut, kryesisht në Skenderaj dhe Mitrovicë të Jugut, niveli i ujit ka rënë.

“Në disa ndërtesa në katet përdhese ka ende uji, në disa vende ka sasi uji i cili nuk është tërhequr krejtësisht” – thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës njofton se njësitet policore janë në teren dhe po ballafaqohen me detyra përfshirë ndihmën për qytetarët dhe sigurinë në trafik.

“Aktivitetet po koordinohen me institucionet komunale dhe ato qendrore. Në rajonin e DRP Mitrovicë Veri niveli i ujit ka rënë, ka pasur intervenime nga kompani në pastrimin për heqjen e dheut e gurëve nga rrugët dhe rrugët janë të qarkullueshme, nuk ka pasur dëme në njerëz” – vazhdon njoftimi.

Policia po ashtu njofton se edhe në Istog, në katër fshatra të kësaj komune, ku ka pasur vërshime dje, sot niveli i ujit ka rënë. Po ashtu në disa fshatra të Podujevës ka pasur vërshime dje, sot niveli i ujit ka rënë edhe pse ende jo tërësisht.

“Policia apelon që të gjithë pjesëmarrësit në trafik të kenë kujdes gjatë ngasjes së veturave dhe po ashtu apelon që për çdo rast të kërkesave për ndihmë, qytetarët të thërrasin në numrat përkatës” – vazhdon njoftimi.

Asistenca e Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve, Foto: Policia e Kosovës

16:52

Pamje me dron të përmbytjeve në Skenderaj

Shkollat, veturat dhe rrugët e përmbytura në Skenderaj pas vërshimeve në dy ditët e fundit:

16:38 

Presidentja Osmani viziton Komunën e Klinës

Pas situatës së krijuar nga vërshimet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar Klinën, si njërën prej komunave ku ka pasur përmbytje.

Pas takimit në komunë, nuk ka pasur ndonjë deklarim për media.

Foto: KALLXO.com

16:40

Komuna e Mitrovicës njofton se do t’ua paguajë qiranë familjeve të prekura nga vërshimet

Kryetari i Komunës së Jugut, Bedri Hamza, njoftoi të premten se do të mbulojë shpenzimet për qiranë për familjet që janë prekur nga vërshimet.

Ai tha se deri më tani janë evakuuar rreth 40 familje.

“Më shumë se 40 familje janë evakuar në gjithë qytetin dhe pasojat janë shumë të mëdha. Mbi të gjitha fatmirësisht nuk kemi pasur humbje të njerëzve. Ata kanë nevojë për gjithçka, pasi që shtëpitë janë të pabanueshme dhe urgjent duhet t’i qëndrojmë pranë njerëzve me pako ushqimore, veshmbathje, si dhe duhet të bëhet identifikimi i familjeve që janë pa strehë, t’i vendosim me qira dhe komuna të marrë përsipër pagesën e qirasë”- citohet të ketë thënë reku i ekzekutivit lokal.

“Qendra Operative Emergjente Lokale do të qëndroj pranë të gjithë banorëve të atyre lagjeve ku janë prekur nga vërshimet, duke i ndihmuar dhe mbështetur ata dhe se komisionet komunale vlerësuese shumë shpejt pritet të dalin në teren për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet” – thuhet më tej në njoftimin e komunës.

16:00

Pasojat e vërshimeve, në qytetin e Mitrovicës pastrohen rrugët

Në Mitrovicë po bëhet pastrimi i rrugëve nga balta, që u krijua si pasojë e vërshime pas reshjeve të shiut në këtë qytet.

Pasojat e vërshimeve, në qytetin e Mitrovicës pastrohen rrugët, Foto: KALLXO.com
Pasojat e vërshimeve, në qytetin e Mitrovicës pastrohen rrugët, Foto: KALLXO.com

15:19 

FSK vendos tendën në sheshin kryesor të Mitrovicës

Pas situatës me vërshimet, FSK ka vendosur tendë në sheshin kryesor të Mitrovicës, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që po përballen me përmbytje.

FSK vendos tendën në sheshin kryesor të Mitrovicës, Foto: KALLXO.com

15:07

Përballja e qytetarëve me vërshimet

Rrëfimi nën lotë i plakut nga Klina për dëmet e mëdha që ia shkaktuan vërshimet . “Ishalla Perëndia na ndihmon se njëherë s’ka kurrgja” – thotë i moshuari.

14:59 

Rritet niveli i ‘Drinit të Bardhë’ dhe përmbyten tokat bujqësore në Rahovec

Niveli i ujit në lumin “Drini i Bardhë” është rritur pas reshjeve të shiut dhe si pasojë tokat bujqësore në disa fshatra të komunës së Rahovecit janë përmbytur.

Kështu ka njoftuar kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Ai ka thënë se ka pasur përmbytje të tokave bujqësore të mbjella me grurë në fushë të hapur si dhe nën ujë janë disa serra me prodhime të gatshme për treg.

Përmbytjet në Rahovec, Foto: Smajl Latifi/ Facebook

14:41 

Ambulancat specialistike në Mitrovicë përfshihen nga uji

Ambulancat specialistike që funksionojnë në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë janë përfshirë nga uji pas reshjeve të vazhdueshme të shiut.

Kështu është bërë me dije nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

“Në takim me drejtoreshën e Spitalit, Luljeta Buçinca-Zhubi, ajo është njoftuar se ditën e djeshme, pas reshjeve të pandalshme të shiut, meqë ambulancat ndodhen në bodrumin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, janë vërshuar nga uji. U.d. drejtoresha Zejnullahi-Raçi, ofroi mbështetje të plotë nga ShSKUK për ta tejkaluar sa më parë këtë situatë”  thuhet në njoftim.

Ambulancat specialistike në Mitrovicë përfshihen nga uji, Foto: SHSKUK

12:41 

Familje të evakuuara e shtëpi në rrezik nga vërshimet, Qeveria tregon për menaxhimin e situatës në terren

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se përballja me përmbytjet e shkaktuara nga reshjet atmosferike po vazhdon edhe sot, teksa institucionet e vendit dhe mekanizmat e tyre kanë vazhduar punën pandërprerë në menaxhimin e situatës dhe në ndihmë të qytetarëve.

Në njoftim u bë e ditur se kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar komunën e Istogut.

“Krahas 20 pjesëtarëve të FSK-së që po angazhohen për t’u dalë në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog, Kryeministri u takua edhe me kryetarin e kësaj komune, Ilir Ferati si dhe vizitoi qytetarët e evakuar të cilët po qëndrojnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare”- thuhet në njoftim.

11:08

Stadiumi i Skenderajt, i përmbytur 

Për shkak të vërshimeve, stadiumi në Skenderaj është përmbytur nga uji.

Skenderaj është në mesin e komunave më të prekura nga vërshimet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Vërshimet në Skenderaj

10:25 

IHMK: Reshjet e shiut do të vazhdojnë deri më 25 janar

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka deklaruar, se situata e përgjithshme hidrometeorologjike në pjesën më të madhe të vendit, ditëve të fundit është përkeqësuar, si pasojë e rreshjeve intensive të shiut, sidomos në disa pjesë të vendit.

Sipas njoftimit të IHMK-së, reshjet e shiut me intenzitet të ndryshur, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar 2023.

“Aktualisht situata më e rënduar është në pjesën perendimore, veriperendimore, dhe veriore të vendit, por duke pasur parasyshë reshjet të cilat janë duke vazhduar aktualisht dhe ditët në vijim, mund të shkaktojnë probleme dhe vështërsi edhe në pjesët tjera të vendit” – thuhet në njoftimin e IHMK-së të publikuar në Facebook.

10:20

Pasojat e vërshimeve në Skenderaj, çahet asfalti

Vërshimet që nisën që nga orët e para të së enjtes kanë lënë pasoja të shumta në qytete të ndryshme të Kosovës.

Një nga qytetet më të prekura është Skenderaj.

Lexues të KALLXO.com kanë dërguar disa fotografi nga Skenderaj, me ç’rast shihen pasojat që kanë lënë vërshimet.

Në njërën fotografi shihet një gropë e madhe në mes të rrugës, për shkak të çarjes së asfaltit.

Po ashtu veturat që janë bartë për shkak të vërshimit të ujit.

Situata me vërshimet në Skenderaj, krijohen komisionet për vlerësimin e dëmeve (10:12)

Komuna e Skenderajt, ka krijuar 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë të cilët do të dalin në teren menjëherë për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Ndërsa sipas njoftimit edhe disa shërbime komunale nuk do të ofrohen.

Kështu është thënë në një njoftim të lëshuar nga kjo komunë.

“Duke iu përgjigjur situatës së krijuar pas të reshurave të pandërprera, që kanë shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme materiale, kryetari i Komunës, Fadil Nura dhe nënkryetari Sami Lushtaku, në takimin e sotëm në orët e hershme të mëngjesit me Bordin e Drejtorëve, kanë marrë vendim që të themelojnë 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë secili, të cilët menjëherë do të dalin në teren për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara” – thuhet në njoftim të komunës.

Tutje thuhet se për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur gjatë ditës së djeshme, si pasojë e situatës që kërkon reagim të menjëhershëm në teren, sot një pjesë e shërbimeve komunale është e pamundur të ofrohen.

“Komuna e Skenderajt njofton se nuk do të ketë orar të punës për Ekzekutivin komunal, deri në përfundimin e procesit të vlerësimit të tërësishëm të dëmeve materiale. Në këtë kuadër, kërkohet nga qytetarët që të ruajnë provat (video-xhirim, fotografi) të dëmeve të pronave të luajtshme dhe të paluajtshme” – thuhet në njoftim.

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se do të bëjë njoftime të kohëpaskohshme lidhur me situatën në përgjithësi.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka informuar qytetarët në vazhdimësi për gjendjen në terren në disa rajone të Kosovës duke përfshirë edhe Komunën e Skenderajt.

Foto: KALLXO.com

 

Qytetarët e Kosovës në disa rajone po përballen me pasojat e vërshimeve që nisën tash e dy ditë.

09:14

Gjendja me vërshimet në Mitrovicë

Gjendja e sotme e lumit ‘Lushta’ në Mitrovicë nga vërshimet

07:43

Edhe sot reshje shiu në Kosovë 

Në Kosovë, edhe sot pritet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se në fundjavë pritet të kemi masa të ftohta të ajrit me origjinë nga veriu i kontinentit, gjë që do të ndikoj dukshëm në uljen e temperaturave në të dy vlerat ekstreme.“Reshjet e parashikuara për fundjavë, parashihen të jenë në formë dëbore”, njofton IHMK.

Qeveria e Kosovës njoftoi të enjten në mbrëmje, se lidhur me vërshimet gjendja po shkon drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj, mirëpo në Klinë situata mbetet e vështirë.

Sipas njoftimit, në Skenderaj janë dërguar gjashtë ekipe shtesë dhe tri ekipe shtesë në Istog dhe Mitrovicë, në Klinë janë dërguar përforcime shtesë me zjarrfikës nga komunat përreth.