Kurti: Unë jam kryeministër i shpresës, Vuçiq është president i frikës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ai është “kryeministër i shpresës” ndërsa ka shtuar se në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq është “president i frikës dhe kërcënimit”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve të premten,  rreth zhvillimeve të 31 korrikut në veri të Kosovës dhe shtyerjen e vendimit për reciprocitetin me Serbinë për targa dhe letërnjoftime, Kurti u shpreh se Kosova është për paqe.

“Unë jam kryeministër i shpresës dhe progresit, në Serbi kemi president të frikës dhe kërcënimit. Për Republikën e Kosovës flet Qeveria e Republikës së Kosovës,  flasin institucionet e shtetit tonë. Dita e 1 gushtit do të ishte paqësore, por më 31 korrik u ngritën barikadat prej njerëzve që kishin financuar strukturat ilegale. Kur ata flasin janë duke fol për veten jo për neve.  Ne jemi për paqe. Progresi në Kosovë duhet të mbrohet”, theksoi Kurti.

Pasi institucionet e Kosovës paralajmëruan për gatishmërinë e zbatimit të vendimit të reciprocitetit nga 1 gushti, në veri të Kosovës serbët bllokuan rrugët drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria e Kosovës më pas, në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendosi që të shtyjë zbatimin e vendimit për reciprocitetin për targa e letërnjoftime deri më 1 shtator.

Në anën tjetër, takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së pritet të mbahet më 18 gusht.