Albin Kurti në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, Foto: Albin Kurti/Facebook

Kurti tregon se çka bisedoi me kancelarin e deputetët gjermanë në Berlin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kthyer në Kosovë pas vizitës në Berlin dhe ka treguar se çka bisedoi me kancelarin e deputetët gjermanë.

Përgjatë pjesëmarrjes së tij në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, SPD-së, Kurti më 9 dhjetor është takuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Ky takim sipas Kurtit, ka dëshmuar marrëdhëniet e forta të Gjermanisë me Kosovën.

“E në margjina të Kongresit, takimi me Kancelarin Scholz dëshmoi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet” – ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa, fuqizimi i bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat ishte fokus i bisedës së tij me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi si dhe me kryetarin e SPD-së njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil.

“Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam dhe rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian” – ka thënë Kurti.

Më tej, ai ka përmendur edhe takimin me mërgatën në Berlin, me të cilët ka biseduar për qeverisjen e tij dhe ka dëgjuar përvojat e idetë e tyre.

Përgjatë këtij udhëtimi Kurtin e ka shoqëruar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe nënkryetarja e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje, Mrika Limani Myrtaj.