Albin Kurti në takim me mërgatën në Berlin, Foto: LVV, Facebook
Kryeministri Kurti takim me mërgatën në Berlin, diskuton për qeverisjen e tij
Pas takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi si dhe me kryetarin e SPD-së, Lars Klingbeil, kryeministri Albin Kurti është takuar të dielën me bashkatdhetarët në kryeqytetin gjerman.
Këtë takim e ka realizuar së bashku me nënkryetaren e Lëvizjes Vetëvendosje, Mrika Limani Myrtaj, ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe kryetarin e Qendrës së Lëvizjes në Gjermani, Fahri Beqa.
Siç bën të ditur LVV, në këtë takim u diskutua për situatën politike në Kosovë, zhvillimet e fundit, si dhe u prezantuan të arriturat gjatë dy vjet e nëntë muajve të qeverisjes.
‘’Krahas miratimit të ligjit që ua mundëson bashkatdhetarëve votimin nëpër ambasada të Republikës tonë, kyçjes së të rinjve nga mërgata në Programin për Diplomaci, dhe investimeve që bashkatdhetarët kanë bërë në Kosovë, në këtë takim u fol edhe për rëndësinë e investimeve në sektorin e energjisë së ripërtrishme tash që është hapur ankandi’’ – thuhet në njoftimin e Lëvizjes në Facebook.
Sipas LVV, mërgata vazhdon të jetë motor qendror për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Republikës së Kosovës.
Kurti ka udhëtuar më 8 dhjetor në kryeqytetin gjerman së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD).