Kurti thotë se në fillim të javës së ardhshme vendos nëse do të shkojë në Bruksel

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës ka deklaruar se në fillim të javës së ardhshme do të jap një përgjigje lidhur me ftesën e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili paralajmëroi një takim për menaxhimin e krizës.

“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon, në Bruksel, ku kam propozuar planin pesë pikësh, por tash kemi një kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme, njëherë u tha data 22, pastaj 23, pastaj sërish 22. Do ta diskutojë më ekipin tim dhe me siguri që do të jap një përgjigje në fillim të javës së ardhshme” – ka thënë Kurti në një prononcim për media.

Kryeministri Kurti ka thënë se është i angazhuar në këtë dialog, por, sipas tij, ajo “çfarë po mungon është se sekuencimi për zbatimin e plotë pa vonesa dhe pakushte i marrëveshjes bazike dhe i aneksit të impletimit”.

“Kurse në këtë dialog unë jam i angazhuar, por ajo çfarë po mungon është se sekuencimi për zbatimin e plotë pa vonesa dhe pakushte i marrëveshjes bazike dhe i aneksit të impletimit. Një sekuencim i cili do të ishte i balancuar dhe fer. Dhe praktikisht i ndryshëm që ne na u pat ofruar më datën 26 prill. Pra, jemi të përkushtuar, jemi konstruktiv mirëpo nuk mundet që çfarëdo sekuencimi të ketë më shumë së gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10. Unë e kuptoj që këto nene janë të marrëveshjes bazike, dhe unë jam i interesuar të i përfshijë patjetër në sekuencim, por dedikimi i atyre nuk mund të jetë me aso prioritete dhe përmasa” – ka thënë Kurti.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Më 14 qershor, autoritetet e Kosovës kanë thënë se tre zyrtarë të saj policorë janë rrëmbyer nga autoritetet e Serbisë, në afërsi të pikës kufitare.

Serbia, në anën tjetër, ka thënë se i ka arrestuar policët e Kosovës, në thellësi të territorit serb.

Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, Borrell ka thënë se, aktualisht gjithçka është kthyer në fazën e menaxhimit të krizave dhe do t’i ftojë palët në një takim urgjent.