Kryeministri Albin Kurti në takim me gazetarët ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë | Foto: ZKM

Kurti takoi gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, kreu i qeverisë gjatë këtij takimi ka ritheksuar solidaritetin me popullin ukrainas dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak të Federatës Ruse dhe invazionit në Ukrainë.

“Ai potencoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë globale”, thuhet nw komunikatwn e Qeverisw.

Lyudmila Makey, Daria Meshcheriakova, Lyudmila Mekh dhe Serhi Shevchenko janë gazetarët Ukrainas të cilët janë detyruar të largohen nga ky vend pas invazionit rus. Këta gazetarë tashmë banojnë në Prishtinë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë Kosova”.

Ky program është i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar gazetarëve ukrainas të punojnë nga distanca.

Gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë është Lyudmila Makey e cila ka ardhur më 17 prill.

Ndërsa, më 22 maj kanë ardhur edhe dy gazetarët e tjerë, Serhii Shevchenko dhe Liudmyla Mekh.