Gazetaret ukrainase të strehuara në Kosovë mbajnë një aksion simbolik për nder të 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik. Foto: KALLXO.com

Qeveria ndanë mbi 305 mijë euro për gazetarët ukrainas dhe afganë në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka ndarë 305 mijë e 710 euro për mbështetjen e gazetarëve ukrainas dhe afganë të cilët po qëndrojnë në Kosovë.

Kërkesa për ndarjen e këtyre mjeteve buxhetore është bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se mjetet do të merren nga kategoria e shpenzimeve të paparashikuara.

“305 mijë e 710 euro për mbështetjen e gazetarëve ukrainas dhe afganë të cilët janë të strehuar në Kosovë. Mjetet merren nga kategoria e shpenzimeve të paparashikuara dhe transferohen në MPJD. Ky është vendimi që mundëson që të mbulohet edhe për këtë vit qëndrimi i gazetarëve ukrainas dhe afgan” – tha Murati.

Disa gazetarë Ukrainas të cilët janë detyruar të largohen nga vendi i tyre pas invazionit rus tashmë jetojnë në Prishtinë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë Kosova”.

Ky program është i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar gazetarëve ukrainas të punojnë nga distanca.

Ndërsa, në dhjetor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e gazetarëve afganë. Ekzekutivi ka thënë se Kosova do të pranojë pesë gazetarë nga Afganistani dhe ata do të mund të qëndrojnë në shtet për dy vjet.