Ramush Haradinaj, Foto:Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Facebook

Haradinaj: Dita Botërore e Refugjatëve na rikujton përpjekjen e okupatorit serb për spastrimin etnik

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Ditën Botërore të Refugjatëve ka thënë se Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu.

Ai ka thënë se kjo ditë, Kosovës i rikujton përpjekjen e okupatorit serb për spastrimin etnik.

“Dita Botërore e Refugjatëve na rikujton përpjekjen e okupatorit serb për spastrimin etnik duke deportuar me forcë miliona shqiptarë nga Kosova gjatë Luftës Çlirimtare 1998-1999, por edhe deportimin e qindra mijëra të tjerë anekënd botës nga zonat e luftës.Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu”- ka shkruar ai.

Haradinaj ka thënë se është falënderues përjetësisht ndaj të gjithë miqve kudo nëpër botë që strehuan familjet shqiptare në ditët më të vështira.

Dita Botërore e Refugjatëve është një ditë ndërkombëtare e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar refugjatët anembanë globit.

Çdo vit më 20 qershor festohet për forcën dhe guximin e njerëzve që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar konfliktit ose persekutimit.