Kurti: Serbia synoi pushtimin e veriut me skenarin e Donbasit

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në drekën e shtruar për Konferencën e Partisë Laburiste që po mbahet në Liverpool.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti ka qenë i ftuar si folës kryesor dhe ka treguar për skenarin e 24 shtatorit të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Sipas Kurtit, Serbia, si një aleate e Rusisë, tentoi që të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut.

“Rritja e pranisë ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës u përshkrua si e paprecedentë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, kurse pamjet e sekuestruara nga dronët që ishin në posedim të grupit terrorist zbuluan se trupat paramilitare ishin trajnuar në bazat zyrtare të ushtrisë serbe, duke dëshmuar kështu në mënyrë të pakundërshtueshme përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë në planifikim të sulmit”- citohet të ketë thënë Kurti.

Sipas komunikatës, Kurti ka theksuar se e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës, sikurse as paqja dhe siguria e Europës nuk mund të mbahen peng nga Serbia, dhe se perspektiva për paqe, drejtësi, dhe prosperitet në një kohë me plot sfida varet nga ajo çka zgjedhim të bëjmë dhe si zgjedhim të veprojmë së bashku.

Përveç kësaj, sipas komunikatës, Kurti ka folur edhe për qeverisjen socialdemokrate në Kosovë, reformat e ndërmarra, politikat sociale, të punësimit, energjetike si dhe ato në arsim, fushat prioritare të qeverisë sipas buxhetit të këtij viti, indikatorët ekonomikë dhe progresin demokratik të evidentuar në raportet ndërkombëtare.

Mirëpo, sipas tij, ‘momentumi i arritjeve dhe përparimit është duke u sfiduar në vazhdimësi nga Serbia’.

Para fillimit të drekës së punës, sipas komunikatës, kryeministri Kurti ka marrë pjesë në mikpritjen e organizuar për mysafirët ndërkombëtarë nga Sekretari nën hije për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Laburiste, David Evans.

Kryeministri Kurti dje ka udhëtuar për në Britani të Madhe për të marrë pjesë në Konferencën vjetore të Partisë Laburiste.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm terrorist.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan.

Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mirëpo autoritetet në Kosovë kanë theksuar se prapa këtij sulmi janë institucionet e Serbisë.