Pamje nga Zveçani - FOTO KALLXO

Kurti publikon kalendarin dhe planin për shtensionimin e situatës në veri

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes një postimi në Twitter ka njoftuar se si do të zbatohet në dy javët në vazhdim dakordimi i Bratislavës, për shtensionim të situatës në veri, që u arrit mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, të hënën.

Kurti ka thënë se arritja e kësaj marrëveshje tregon gatishmërinë e Kosovës për të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në vend dhe rajon.

“Qeveria jonë ka arritur një marrëveshje me BE-në për hapat e ardhshëm për shtensionimin e situatës në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo tregon gatishmërinë tonë për të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, në shërbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit” – ka thënë Kurti.

Sipas kalendarit të publikuar nga kryeministri, në javën e parë parashihet që Qeveria e Kosovës të shpallë publikisht gatishmërinë për të punuar në drejtim të shtensionimit të situatës, duke përfshirë reduktimin e menjëhershëm për 25% të prezencës së policëve brenda dhe rreth ndërtesave komunale.

“Qeveria e Kosovës shpallë publikisht gatishmërinë e saj për të punuar në drejtim të shtensionimit të situatës si dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund të eskalojnë situatën në veri të vendit. Kjo përfshinë reduktimin e menjëhershëm për 25% të prezencës së policëve që gjenden brenda dhe përreth ndërtesave komunale”- thuhet në kalendarin e publikuar nga kryeministri Kurti.

Si vazhdimësi e javës së parë, theksohet që Policia e Kosovës të kryejë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in.

“Policia e Kosovës të kryejë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rrethanave, për të vlerësuar zvogëlimin e mëtejshëm të të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale. Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku inkurajon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të zgjedhjeve në katër komunat, para verës. Kosova zotohet të ketë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve” – bëhet e ditur në kalendarin e Kurtit.

Më tej, sipas atij orari, në javën e dytë BE do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel që të finalizojnë planin e implementimit për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“BE do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel që të finalizojnë planin e sekuencimit apo e tabelën e implementimit për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve pas së cilës do të fillojë zbatimi i të gjitha dispozitave të marrëveshjes”- theksohet në kalendar.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë marrë vesh për shtensionim të situatës në veri përmes disa hapave.

Në një përgjigje për KALLXO.com, BE thotë se ata janë dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Qeveria pëmes një komunikate të martën ka treguar pikat për të cilat janë dakorduar.

BE dhe Qeveria konfirmojnë se Lajçak ka ftuar dy kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme.

Sipas BE-së ky takim do të bëhet për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes pa vonesë të mëtejshme.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë pasur një takim jozyrtar në Bratisllavë më 10 korrik.

Qeveria dhe BE pajtohen për shtensionim të situatës në veri, këta janë hapat

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

BE dhe SHBA kanë kërkuar shtendosje të situatës, tërheqje të Policisë së Kosovës nga objektet komunale si dhe zgjedhje të reja në komunat veriore.