Kurti për zhvillimet në veri: Gjatë dhjetë viteve të fundit ka pasur një integrim të rremë të serbëve në institucione

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për gazetën zvicerane Tages-Anzeiger ka folur lidhur me situatën e para disa javëve në veri të vendit, pas vendimit për largim të targave ilegale që lëshohen nga Serbia.

Kurti ka pyetur gazetarin nëse Zvicra do pranonte që një pakicë të udhëtojë me targa italiane apo franceze për vite me radhë.

Ai shtoi se vetëm një pjesë e vogël e serbëve janë të instrumentalizuar nga Beogradi sa i përket kësaj çështjeje.

“A do ta pranonte Zvicra nëse një pakicë në vend do të udhëtonte me targa italiane apo franceze për vite me radhë? Shumica dërrmuese e serbëve në veri të vendit tonë nuk kanë asnjë problem me targat e Kosovës. Një grup i vogël instrumentalizohet nga Beogradi. Njerëzit e armatosur pas barrikadave nuk janë të interesuar për të drejtat e njeriut, por për territor. Ata duan të mbrojnë veriun e Kosovës si zonë pa ligj”- u shpreh Kurti.

Gazetari Stephan Israel pyeti Kurtin nëse serbët që janë dorëhequr nga puna në polici dhe gjyqësor është kthim prapa në integrimin e kësaj pakice.

Lidhur me këtë Kurti tha se deri tani në Kosovë ka pasur integrim të rremë të serbëve.

“Unë nuk mendoj kështu. Gjatë dhjetë viteve të fundit ne kemi pasur një integrim të rremë. Zyrtarët serbë kryesisht i kanë bojkotuar seancat. Me ministrin tim të ri serb dhe këshilltaren e tij, tani kemi një integrim të vërtetë. Ata janë dy personat e urryer në Beograd edhe më shumë se unë”- shtoi Kurti.

Lidhur me deklarimet që Kurti kishte bërë për dialog me serbët vendas e jo Beogradin u shpreh se këtë gjë nuk e bënë publikisht.

“Asnjë shef i qeverisë para meje nuk ka pasur kaq shumë takime me përfaqësues të shoqërisë civile serbe. Por ne nuk e bëjmë atë publikisht. Unë punësova një këshilltar serb në fillim të mandatit tim të parë. Sapo emërimi i tij u bë publik, ai dhe gruaja e tij u kërcënuan aq shumë sa i riu dha dorëheqjen nga posti. Të tjerë para tij që donin integrim janë vrarë”- shtoi më tej Kurti.

Muaj më parë, Qeveria e Kosovës njoftoi se do të largonte nga qarkullimi veturat me targa ilegale si KM, PE, GL, UR  që kryesisht mbahen nga serbët e pjesës veriore të Kosovës. Vendimi i Qeverisë së Kosovës nxiti tensione dhe u desh disa herë intervenimi i bashkësisë ndërkombëtare për ta qetësuar situatën.

Vendimin për targat në veri refuzoi ta zbatonte drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Nend Gjuriq. Ai u suspendua nga puna dhe ky vendim nxiti largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Në muajin nëntor, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë  vendosi të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

Aktualisht, në veri të vendit serbët janë tërhequr nga policia, gjykatat, pikat doganore dhe pozitat udhëheqese në komuna.