Kurti për deklaratën e Baton Haxhiut: Nuk ka amnisti por vetëm drejtësi

Në prag të përvjetorit të 21-të të masakrës së Mejes dhe Ditës së Personave të Zhdukur të Kosovës, në objektin e Qeverisë së Kosovës është shkruar numri i personave që ende rezultojnë të zhdukur që nga lufta e vitit 1998-1999

“1641 persona të zhdukur. Të gjithëve na mungojnë”, shkruhet me shkronja të bardha.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 27 prilli 1999 ishte i kobshëm për të gjithë Kosovën.

“Përvjetori i Masakrës së Mejës ku u vranë e zhdukën 376 shqiptarë, por edhe Dita për Persona të Zhdukur, e shpallur në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë të zhdukurve si pasojë e Luftës në Kosovë, na përkujton se kemi edhe shumë plagë të hapura”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se thuhet se koha shëron plagët, por kjo thënie dështon te familjet e të zhdukurve.

“Koha vetëm sa vjen e thellon plagët, venit shpresën dhe rëndon dhimbjen për këta familjarë”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka shkruar edhe në lidhje me deklaratën e ish-drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiu në lidhje me amnistinë e krimeve të luftës.

“I kemi tri elemente që duhet t’i ketë marrëveshja, e para është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, e dyta ka të bëj me amnistinë, në të dy vendet, se pas 20 vjetëve s’kanë çka dënohen njerëzit dhe e treta është definimi i Veriut, çka duam me Veriun, nuk ka probleme tjera me marrëveshjen”, kishte thënë Baton Haxhiu para dy ditëve në një emision në televizionin T7.

Kurti ka theksuar se nuk është e mundshme të ndërtohet e ardhmja, pa u mbyllur si duhet e kaluara.

“Nuk ka amnisti – por vetëm drejtësi”, ka përfunduar ai.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të kryeministrit në detyrë Albin Kurti:

27 prilli i vitit 1999 ishte i kobshëm për gjithë Kosovën.

Në këtë datë koinçidon edhe masakra e Mejës.

Përvjetori i Masakrës së Mejës ku u vranë e zhdukën 376 shqiptarë, por edhe Dita për Persona të Zhdukur, e shpallur në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë të zhdukurve si pasojë e Luftës në Kosovë, na përkujton se kemi edhe shumë plagë të hapura.

Aktualisht, janë edhe 1641 persona të zhdukur. Janë familjet e 1641 personave që vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pritjes, 1641 familje vuajtja e të cilave është stërzgjatë për më shumë se dy dekada. Fëmijë, tani të rritur bashkë me pritjen për një përgjigje. Pleq që nuk kanë njohuri për fatin dhe vendndodhjen e trashëgimtarëve të tyre.

Thuhet se koha shëron plagë, por kjo thënie dështon te familjet e të zhdukurve. Koha vetëm sa vjen e thellon plagët, venit shpresën dhe rëndon dhimbjen për këta familjarë.

Nuk është e mundshme të ndërtohet e ardhmja, pa u mbyllur si duhet e kaluara. Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi që t’i prejmë rrugën kësaj drejtësie të munguar, duke e bërë çështjen e të zhdukurve si çështje të parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi.

Nuk ka amnisti – por vetëm drejtësi.

Sepse… të gjithëve na mungojnë!