Mbretëria e Bashkuar e gatshme të ndihmojë Kosovën për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve në Kosovë, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë Qeverinë kosovare në lidhje me zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Në një kumtesë të Ambasadës britanike thuhet se është e rëndësishme që familjarët të vazhdojnë të flasin sepse vetëm kështu mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

“Në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur në Kosovë, familjet dhe miqtë i kujtojnë të pagjeturit, dhe ndjejnë dhimbjen dhe padrejtësinë pasi që të dashurit e tyre ende nuk janë gjetur. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e kupton se kjo vuajtje nuk mundet thjesht të lihet mënjanë. Ne jemi të përkushtuar që të përkrahim Qeverinë e Kosovës në përmirësimin e veprimeve të saj në çështjet që lidhen me Personat e Pagjetur. Këto çështje nuk duhet të jenë tabu. Është e rëndësishme që Kosovarët të vazhdojnë të flasin për të kaluarën – diskutimi i lirë dhe i hapur mund ta ndërtojë një të ardhme më të mirë”, thuhet në reagimin e Ambasadës.