Memoriali kushtuar personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Foto: KALLXO.com

Andin Hoti: Së shpejti do të fillojë të gërmohet në një lokacion të ri në Serbi

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ka thënë se së shpejti do të fillojë të gërmohet në një lokacion të ri në Serbi.

“Cili është lokacioni do t’iu tregoj shumë shpejt këto ditë për shkak se veç janë duke u bërë analizat dhe hulumtimet, (ndërsa) për pritjen sa do të jenë familjarët kjo varet kryesisht edhe nga informacionet që ne i kemi që ne i kemi informacionet e Serbisë sepse tonat nuk i kemi…”, ka qenë përgjigjja e Hotit.

Ai gjithashtu ka përmendur se Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë kërkesë për marrjen e imazheve satelitore por që ende nuk kanë marrë përgjigjje.

“Delegacioni i Kosovës në këtë rast edhe Komisioni i Kosovës disa kërkesa i ka bërë dhe te shteteve tona mike për marrjen e imazheve satelitore të cilat i bëjmë përmes kryqit të kuq ndërkombëtar sepse nuk e kemi mundësinë t’i bëjmë vet. Fatkeqësisht nuk kemi pranuar pergjigjje ende, për këto është në dijeni edhe keyqi i kuq ndërkombëtar”, ka thënë ai.

“Kërkesa jonë e parë është kushtëzimi ndaj Serbisë, kërkesa jonë e dytë është garancioni i Bashkimit Evropian që të ketë një afat kohor kur Serbia detyrohet të japë informacionet e saj për personat e zhdukur dhe kërkesa e tretë është kërkesa për hapjen e të gjitha dokumentreve sekrete të Serbisë të kohës së luftës në Kosovë”, ka thënë Hoti para gazetarëve.

Gjatë ditës së sotme përballë Kuvendit të Kosovës është organizuar një aktivitet për vendosjen e luleve tek memoriali kushtuar personave të pagjetur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte Bajram Qerkini, Drejtor i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur i cili u shpreh se janë të pakqënaqur me punën për gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Unë e di qe kjo çështje nuk do të kryhet shpejt, unë e di se ne kemi probleme dhe plagë të pashërueshme që 23 vjet. Ne iu kemi drejtuar Qeverisë dhe ndërkombëtarëve dhe ende po shkojnë punët të zhagitura”, ka thënë Qerkini para mediave.

“Nuk janë pak edhe 1619 persona ende të pagjetur, nuk janë pak edhe varrezat që po sillen edhe në Kosovë por edhe në Beograd. Nuk janë pak kritikat e mëdhaja që po thuhet adresa është në Beograd, e bashkësia ndërkombëtare i ka adresat edhe i ka imazhet satelitore të cilat nuk po don të na ndihmojë”, ka thënë tutje Qerkini.

Dita kombëtare për persona të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë shënohet me datën 27 prill.

Kosova ka dalë nga lufta e vitit 1998-99, me mbi 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe mbi 5,000 të zhdukur.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët janë bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet.

Deri më tani, nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave.

Mbi 23 vjet pas luftës, të zhdukur vazhdojnë të jenë mbi 1,600 njerëz.