Foto: KALLXO.com

Përmes luleve kujtohen 1620 personat e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë

Në një pjesë të sheshit “Skënderbeu në Prishtinë gjatë ditës së sotme kanë zënë vend lule të verdha të cilat janë krijuar në formën e numrit 1620 për të kujtuar mbi 1600 personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Ky aksion simbolik u organizua nga organizata joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights Kosovo” për nder të ditës kombëtare për personat e pagjetur e cila shënohet çdo 27 prill.

Marigona Shabiu, Drejtoreshë Ekzekutive në këtë organizatë tha se ky aktivitet është thirrje për të bërë presion ndaj qeverisë së kosovës për të shtuar intensitetin e punës së saj në zbardhejn e fatit të të gjithë të pagjeturëve.

“Në kosovë i kemi 1620 persona që figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në kosovë nga të gjitha grupet etnike dhe për ne kjo qështje është shumë shqetësuese. Edhe 23 vite pas luftës ne po vazhdojmë si shoqëri mirëpo familjarët e këtyre personave po vazhdojnë të presin për të ditur se cfarë ka nodhur me më të dashurit e tyre” ka thënë ajo.

Shabiu ka cilësuar se çështja e personave të pagjetur është duke u politizuar dhe një gjë e tillë duhet të ndalojë.

“Ne konsiderojmë se kjo çështje po shtyhet shumë, kjo çështje po politizohet si nga ana e qeverisë së Kosovës ashtu edhe nga ana e qeverisë së Serbisë dhe kërkesa jonë kryesore është që kjo çështje të trajtohet me prioritet dhe të trajtohet si çështje humane” ka thënë ajo para mediave.

Në këtë aktivitet interesim u shfaq edhe nga ana e qytetarëve të cilët u ndalën për tu informuar rreth ngjarjes dhe për t’iu bashkangjitur aktivitetit të vënies së luleve për të plotësuar numrin 1620.

Erijon Beqiraj, një prej qytetarëve pjesmarrës u shpreh se aktivitete të tilla janë të rëndësishme që të përkujtohen vuajtjet që kanë përjetuar shqiptarët gjatë luftës së fundit.

“Si popull kemi një të kaluar shumë të hidhur e cila nuk duhet të harrohet sepse janë vëllezërit tanë, motrat dhe familjarët tanë. Një lule simbolizon gjakun e një qytetari të Kosovës që nuk dihet fati i tij” ka thënë ai për KALLXO.com

Beqiraj tutje shtoi se organizime të tilla duhet të bëhen më shpesh ngaqë është e nevojshme për qytetarët e sidomos për rininë që të mos e harrojnë historinë.

“Aktivitete të tilla duhet të shtohen sidomos nga studentët për shkak se të gjitjhë të rinjtë duhet ta kenë parasysh rëndësinë e organizimeve të tilla, të cilat përkujtojnë rënien heroike të qytetarëve tonë”.

Kosova ka dalë nga lufta e fundit me mbi mbi 5,000 të zhdukur dhe 800,000 të zhvendosur, gjersa qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ka thënë se së shpejti do të fillojë të gërmohet në një lokacion të ri në Serbi.