Kurti nga takimi me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare: Dialogu me Serbinë duhet të jetë parimor

Krahas vizitës zyrtare që po zhvillon kryeministri Albin Kurti në SHBA, është pritur në takim nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.

Siç thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, Kurti deklaroi se dialogu me Serbinë duhet të jetë “dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë”.

Gjithashtu thuhet se Kurti tha se Kosova është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.

“Gjatë takimit u diskutua për invazionin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon. U bisedua për rreshtimin e Kosovës me ShBA-në dhe botën demokratike në dënimin e invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”, bëhet e ditur në kumtesën e Kryeministrisë.

Në anën tjetër thuhet se Sullivan shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria esë Kosovës për refugjatët afganë dhe për strehimin e përkohshëm të tyre në Kosovë.