Foto: ZKM

Kurti në konferencën e Forumit Ekonomik të Vienës: Parashikojmë zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme

Për herë të parë, Kosova është nikoqire e Forumit Ekonomik të Vienës në kuadër të të cilit u mbajt konferenca “Vienna Economic Talks” në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si folës kryesor në sesionin hyrës, ka thënë se qeveria që ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme për shumë se 1300 MWh të gjeneruara nga burimet e rinovueshme.

Në konferencën e titulluar “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, Kurti ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila do të përdoret për energjinë e rinovueshme.

“Kryeministri Kurti bëri thirrje edhe për më shumë bashkëpunim, ashtu që slogani i Forumit Ekonomik të Vjenës “Shkoni në jug lindje” (eng. Go South East”), të bëhet sinonim me ‘nearshoring’ perëndimor (eng. Western nearshoring)”- ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Sipas njoftimit, përgjatë tri sesioneve, përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare do të diskutojnë për bashkëpunimin rajonal në fushën e investimeve përmes inovacionit teknologjik.