Kurti: Nderojmë rolin e grave që folën publikisht për dhunën seksuale gjatë luftës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka nisur mbledhjen e Qeverisë me një fjalim mbështetës për gratë dhe vajzat në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Ai ka thënë se këtë ditë nderojmë sukseset të cilat gratë i kanë arritur historikisht.

Kurti ka vlerësuar rolin e grave që kanë folur publikisht për dhunën seksuale që e kanë përjetuar gjatë luftës, ndërsa ka folur edhe për kontributin e tyre në luftën çlirimtare.

“Nderojmë e kujtojmë kontributin e grave në luftën çlirimtare dhe përgjatë gjithë historisë. Nuk harrojmë dhimbjen e madhe që nuk kalon dhe një plagë të madhe që shteti e ka obligim ta shërojë. Po e vazhdojmë procesin e aplikimit për njohjen e statusit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Nderojmë rolin e të mbijetuarave që kanë folur publikisht për rastet e tyre, e veçanërisht Vasfije Krasniqin që është avokuese e zëshme në vendin tonë dhe ndërkombëtarisht”- ka thënë Kurti

Ai ka thënë se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale në përpjekje për barazi shoqërore e gjinore.

“Qeverisja jonë mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike dhe sociale që lehtësojnë barrën e padrejtësive që gratë mbajnë mbi supet e tyre. Vazhdojmë betejën për barazi shoqërore dhe gjinore. Prej shtëpisë deri tek institucionet, ta bëjmë Kosovën më të barabartë”- ka shtuar Kurti.