Foto: ZKM

Kurti mblodhi në Prevallë disa kryetarë e nënkryetarë të komunave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministren, Emilja Rexhepi kanë mbledh disa prej kryetarëve dhe nënkryetarëve të komunave të vendit për të diskutuar mbi “të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet”.

Takimi, siç ka njoftuar zyra e kryeministrit është mbajtur në Prevallë nën organizmin e zëvendëskryeminitsres, Rexhepi.

“Ne, pothuajse më së miri e dimë se ashtu sikurse liria që kurrë nuk dhurohet por fitohet, as drejtësia nuk jepet, por duhet të vendoset. Prandaj, jemi të interesuar e po punojmë që ta ndërtojmë një sistem që vendosë drejtësi të bazuar vetëm në ligj”, citohet të ketë thënë Kurti gjatë takimit.

“Nuk mund të ketë individë më të fuqishëm se shteti, as grup më të fuqishëm se Republika, e rrjedhimisht asnjë mbi ligjin apo anash tij”, ka thënë ai.

Kurti ka ftuar komunat për bashkëpunim në avancimin e të drejtave të njeriut.

“Jo vetëm republika po edhe komuna na bën qytetarë, dhe jo vetëm republikën por edhe komunën e përbëjnë qytetarët. E qeverisjet tona le të jenë përherë shërbime të mira e të drejta”, deklaroi Kurti.

Në mesin e kryetarëve të komunave që shihet në takim është ai i Prishtinës, Përparim Rama, ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci, Gjilanit, Alban Hyseni e të tjerë.

Foto: ZKM