Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti: Marrëdhëniet me SHBA-në janë shumë të mira

“Raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të mira”.

Kështu tha i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë në televizionin publik të Kosovës – RTK kur u pyet se si janë marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai tha se SHBA është “një aleat i pazëvendësueshëm, i paçmueshëm, një partner substancial në të kaluarën, në të ardhmen e sidomos tani në këtë vit të rëndësishëm dhe një mik i dëshmuar”.

Kurti shtoi se bashkë me SHBA-në e gjejnë edhe rrugën dykahore.

“Marrëdhënia do të thotë edhe marrje edhe dhënie dhe në anën tjetër duhet të jetë një raport me rrugë dykahore, jo veç njëkahore. Nëse për të pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme kushti dhe garancia, dhe mundësia është veç serviliteti do t’i kishin pasur ata që kanë shkuar e jo unë, pse erdhi puna unë të bëhem kryeministër” – u shpreh kryeministri.

Ai tutje tha se populli i Kosovës dëshiron marrëdhënie më të thella e më të gjëra, e sipas Kurtit jo të shkëlqejë për nga serviliteti, por të përfitojë nga normaliteti.

“Populli dëshironte që edhe me partnerët edhe aleatët tanë të mos përfitojmë ne si individë, por të përfitojë shteti edhe ne si individ humbim ngapak” – u shpreh shefi i ekzekutivit.

Kurti në intervistën e tij në RTK foli edhe për raportet me vendin fqinj, Serbinë, e edhe për çështje të tjera.

Kurti: Serbia bëri shkelje të Marrëveshjes, Brukseli si një arbitër nuk i ra pipit