Foto: ZKM

Kurti: Kosova ka fituar të drejtën e organizimit të Olimpiadës së 14-të Matematike Evropiane për Vajza

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova ka fituar të drejtën e organizimit të Olimpiadës së 14-të Matematike Evropiane për Vajza (EGMO) për vitin 2025.

Kurti ka shkruar në Facebook se EGMO është gara më prestigjioze ndërkombëtare matematike për vajza që ka për qëllim t’i inkurajojë vajzat që të merren me matematikën dhe zbatimin e saj.

“Gara zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Evropës dhe në të marrin pjesë rreth 60 shtete, duke i përfshirë edhe shtetet jo-evropiane që marrin pjesë si mysafirë. Fitimi i së drejtës së organizimit të EGMO 2025 është një arritje e jashtëzakonshme për Kosovën dhe një dëshmi e qartë se Kosova ka kapacitete profesionale e organizative për të qenë udhëheqëse e ngjarjeve më prestigjioze ndërkombëtare”-  ka shkruar Kurti në Facebook.

A ka çmuar angazhimin e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës në promovimin dhe avancimin e matematikës në Kosovë, e cila sipas tij, u ka ofruar mundësi e mbështetje profesionale të rinjve tanë për t’i shfaqur talentet e tyre matematikore në organizimet ndërkombëtare si IMO e EGMO.

“Organizimi i EGMO është edhe një mundësi e mirë për të promovuar vendin tonë si një vend me vlera evropiane ku vlerësohen dhe mbështeten të rinjtë e talentuar” – ka thënë ai.

Kurti ka pohuar se Qeveria do të rrisë investimet dhe do të mbështesë talentet e matematikës.