Kurti komunikoi me ushtarët e FSK-së që po shërbejnë në Lindjen e Mesme

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e mbrojtjes, Armend Mehaj dhe kolonelin Ejup Maqedonci, kanë komunikuar sot virtualisht me kontingjentin e Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët janë në shërbim në Lindjen e Mesme.

Ky kontingjent i FSK-së është në shërbim të paqes dhe sigurisë globale në kuadër të operacionit shumëkombësh “Inherent Resolve”, në Lindjen e Mesme.

Kurti ka shkruar se nga oficerët dhe nënoficerët të cilët janë duke operuar në kuadër të njësive të ushtrisë amerikane, major Mentor Ibrahimi, kapiten Kreshnik Haxhiu, toger Dhurim Shemsedini, tetar Hyjnor Lajqi dhe ushtar i klasit të parë, Mehmet Mehmeti, është njoftuar për detyrat dhe angazhimet e tyre atje.

“Ushtarakët tanë thanë se janë krenarë me besimin që u është dhënë për të shërbyer si pjesëtarë të misionit paqeruajtës dhe u shprehën të kënaqur me mbështetjen e Qeverisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për ta”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Kryeministri është shprehur i kënaqur nga motivi i lartë i ushtarëve të FSK-së të cilët, për të cilët ka shkruar se “se janë duke e përfaqësuar Kosovën në nivelin më të lartë”.

“Rastisi që sot të kishte ditëlindjen toger Dhurim Shemsedini. I urova ditëlindjen dhe i sigurova të gjithë ushtarakët se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta mbështesin misionin e tyre dhe përgatitjen e ekipeve të tjera të FSK-së, për të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë”, ka shkruar tutje ai.

“Bashkë, për një Kosovë të aftë për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë!”, thuhet në fund të shkrimit të tij.