Kurti: Greqia ka avancuar në diskursin ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka vlerësuar si ‘avancim në diskurs’ qasjen e Greqisë ndaj Kosovës.

Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë Kurti nuk ka dhënë detaje nëse së shpejti do të kemi njohje nga ky shtet.

“Unë besoj qe Greqia ka avancuar në diskurs, por sa jemi afër ditës kur edhe Greqia do ta njoh Kosovën, nuk mund ta themi tani. Unë besoj që është ministri i jashtëm grek Dendias i cili në aspektin legal e ka hapur shtegun për ndryshim të qëndrimit. Është kapërcim tektonik në ndryshim të njohjes që nuk dihet kur do të vi”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se gjatë vizitës së tij në shtetin helen është përkujdesur që të takoj biznesmen për t`i ftuar për të investuar në Kosovë.

“Unë kam qëndruar në Greqi në dy konferenca të njëpasnjëshme, përveç takimeve me zyrtar shtetëror kam takuar afër 30 biznesmen të ndryshëm për çështjen e investimeve në Kosovë, dhe unë përpjekjet më të mëdha që i bëjë janë në fushën e investimeve të huaja, këto takime në pjesën më të madhe nuk i bëjë as me tupan as me vuvuzela për shkak që është e dëmshme”, tha Kurti.

Greqia është në mesin e 5 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Kurti pak ditë më parë është kthyer nga vizita që ka pasur në këtë vend për të marrë pjesë në dy konferenca atje.