Kurti fton qytetarët të aplikojnë për subvencionim të pajisjeve për ngrohje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje.

Kurti ka thënë se thirrja mbetet e hapur edhe katër ditë, pra deri më 2 dhjetor 2022.

“Subvencionimi direkt i stufave individuale, kaldajave me biomasë, pompave termike e kondicionerëve efiçientë do t’ju ndihmojë juve të tejkaloni sa më lehtë dimrin që kemi para, por edhe sistemin tonë energjetik duke ulur konsumin. Kjo është kritike në përballjen tonë me krizën energjetike evropiane” – ka thënë Kurti.

Ai ka ftuar veçanërisht qytetarët përfitues të asistencës sociale si dhe nënat vetushqyese që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mbështetje e Qeverisë.

Subvencionimi i efiçiencës së energjisë përmes kësaj thirrjeje u mundëson qytetarëve të blejnë pajisje me nivel të lartë të efiçiencës, që ndikon direkt në: reduktimin e kërkesës për energji/ energji elektrike dhe rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për nevojën e kursimit të energjisë.

Pajisjet të cilat do të subvencionohen janë; pompë termike, pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë (kondicioner/ klimë eficiente), kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.

Aplikimi për subvencionim është ndarë në dy faza dhe bëhet online përmes platformës e-Kosova.

Thirrjen e plotë e gjeni në këtë LINK.