Kurti e Molliqaj reagojnë pasi aktivistët e LVV-së u shpallën të pafajshëm për sulmin kundër ndërtesës së Kuvendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje u liruan nga akuzat për sulm kundër Kuvendit të Kosovës në gusht të 2016-tës që ishte kualifikuar si vepër terroriste.

Përmes një postimi në Facebook shefi i ekzekutivit e ka përshëndetur këtë vendim ndonëse e ka cilësuar si drejtësi të vonuar.

“Në gusht të vitit 2016 u arrestuan aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një sulm që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës. Ishte kjo ndër përpjekjet e mëdha për ta eliminuar Lëvizjen tonë nga skena politike. Sot, 6 vite më vonë aktivistët tanë shpallen të pafajshëm ndaj kësaj akuze. Ndonëse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Për këtë, Kurti ka thënë se ky rast nuk është thjesht drejtësi e vonuar, por edhe një jetë e humbur.

“Astrit Dehari, aktivisti ynë është marrë në burg për këtë akuzë dhe kur sot kjo akuzë bjen tërësisht, ai më nuk gjendet në mesin tonë. Nëse deri tash kemi bërë thirrje ‘’Drejtësi për Astritin’’ për të zbuluar tërësisht rastin, tash kjo thirrje bëhet edhe më e prerë” – është shprehur Kurti gjersa ka shtuar se përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik.

Reagime për lirimin e aktivistëve të LVV nga kjo akuzë ka pasur edhe nga kreu i i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, i cili po ashtu përmes Facebook-ut tha se pas 6 vitesh perndjekje, sot, më në fund, u vërtetua pafajësia e aktivistëve që u akuzuan për terrorizëm.

“U vërtetua ajo që e thamë dhe e ditëm që në ditën e parë të arrestimeve: asnjë provë shteti nuk e pati për arrestimin mbajtjen dhe dënimin e tyre. Asnjë provë për arrestimin dhe mbajtjen e Astrit Deharit” – ka shkruar Molliqaj, i cili ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit.

“Shteti duhet të mbajë përgjegjësi për këtë padrejtësi. Qeveritë e kaluara për mbajtjen e padrejtë të Astritit, kurse qeveria e tashme për mos-zbardhjen e vdekjes së tij” – është shprehur Molliqaj.

Më 5 nëntor të vitit 2016, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Në nëntor të këtij viti janë bërë 6 vjet nga vdekja e mistershme Deharit.

Ndërkaq, me 8 dhjetor të këtij viti Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Lidhur me rastin e zhdukjes së provave në IML, ka pasur edhe reagime nga subjektet opozitare, duke kritikuar Haxhiun.

Ministria e Drejtësisë (MD) kishte njoftuar se janë pezulluar nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjoret (IML), pas dyshimit për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në këtë institut.

Sipas njoftimit të MD-së, pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të katër zyrtarëve.

Të pezulluarit janë: Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore;Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në  Institutin për Mjekësi Ligjore;Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore;Ilirjana Shala, Kimiste  në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Ndërkaq, Naim Uka ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.