Kurti diskuton për planet për investime të Kosovës me Drejtorin e Agjencisë Ndërkombetare të Energjisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë kohës sa po qëndron në Gjermani ka takuar edhe Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë NDërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, Kurti bisedoi me Birol për sektorin e energjisë në Kosovë dhe potencialin që vendi ynë ka në fushën e energjisë së ripërtrishme.

“Kryeministri Kurti theksoi planet e Qeverisë për investime në energji të ripërtrishme dhe për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031”- thuhet në njoftim.

Tutje duke folur për zhvillimet në vend, Kryeministri e njoftoi Birol për punën e Qeverisë dhe progresin e shënuar në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, gjë që po dëshmohet nga raportet kredibile ndërkombëtare.

“Ai theksoi mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj, si dhe për masat e ndërmarra në rritjen e efiçencës energjetike dhe ruajtjen e çmimit të përballueshëm për qytetarë”- thuhet tutje në njoftim.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë dhe format e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.