Foto:ZKM

Kurti bisedoi me senatorin amerikan Murphy, flasin edhe për takimin në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me senatorin amerikan Chris Murphy.

Gjatë kësaj telefonate ata folën për marrëdhëniet e veçanta dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për progresin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës, siç u dëshmua edhe tash së fundmi nga Indeksi i Demokracisë Elektorale 2023 të institutit V-Dem, që renditë Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor.

Sipas komunikatës së Qeverisë, u diskutua edhe për takimin e 27 shkurtit në Bruksel, nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe “për gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës” për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër.

Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.