Kuratorja ukrainase: Rusia ka vjedhur 14 muze në Ukrainë

Kuratorja ukrainase, Katerina Lakovlenko, ka thënë se Rusia ka vjedhur 14 muze në Ukrainë prej që ka filluar invazioni rus në shkurt të 2022-ës, në Ukrainë.

Duke folur në emisionin “Kallxo Përnime”, Lakovlenko tha se Ukraina është duke përjetuar humbje të madhe të ndërtesave arkitekturore, ndërtesave historike e trashëgimisë kulturore.

“Për shembull, deri sot Rusia ka vjedhur 14 muze në pjesët e okupuara, kështu që ky është një numër i madh i muzeve, i veprave të shumta të artit, por gjithashtu dua të përmend se edhe shumë artistë janë në rrezik, pasi që ata janë akoma prezentë në Ukrainë dhe jetojnë në vende të ndryshme” – ka thënë ajo.

Gjithashtu, ajo ka thënë se ka plot artisë ukrainas që i janë bashkuar ushtrisë dhe janë duke luftuar në vijat e frontit.

“Duhet ta përmend këtë dhe ky është një problem i madh, çfarë arti do të krijonin tani pasi që tash ata kanë një punë, e cila është shumë e rëndësishme dhe është një punë në një fushë shumë të ndryshme, por edhe një përvojë krejt e re. Ata më parë nuk kishin marrë kurrë në dorë një armë” – është shprehur kuratorja Lakovlenko.

Tutje, Lakovlenko tha se në të njejtën kohë kur po vazhdon lufta në Ukrainë, disa artisë ukrainas po bëjnë një punë aktive vullnetare.

“Kjo është një vepër e Marthine Pascal Tayou gjatë një programi rezidencal të fondacionit për artin dhe kulturën bashkëkohore, të quajtur ‘Izolatsije’. Tregimi për ‘Izolatsije’ është qendra për art bashkëkohor, në një fabrikë që prodhon materiale për izolim, kështu që e tërë hapësira e uzinës së okupuar ishte për art dhe kulturë bashkëkohore” – tha Lakovlenko.